Përplasje për raportin e BE-së: LSDM akuzon, Mickoski shprehet se nuk ka para për gjyqësorin

Gazetare: Melihate Rustemi

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit ka shërbyer si bazë për akuza të rënda nga ana e LSDM-së ndaj pushtetit. Opozita pretendon se vërejtjet e Brukselit për ndërhyrje dhe presion ndaj gjyqësorit janë një realitet i përditshëm në Maqedoninë e Veriut. Sipas zëdhënëses së LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, kryeministri Hristijan Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij kanë shtrirë ndikimin përmes emërimit të njerëzve të afërt partiakë në pozita kyçe të sistemit të drejtësisë. LSDM numëroi disa raste që sipas tyre dëshmojnë këto vërejtje, që nga zgjedhja e familjarëve të funksionarëve të VMRO-së në Këshillin Gjyqësor, emërimi i këshilltarëve të kryeministrit në pozita në gjyqësor, e deri te paralajmërimet dhe menaxhimet publike të hetimeve dhe zgjedhjes së Prokurorit të Shtetit nga vetë kryeministri përmes emisioneve televizive.

“Komisioni Evropian në raportin e tij për sundimin e ligjit qartë dhe në mënyrë të paanshme noton ndërhyrje dhe presion mbi gjyqësorin nga përfaqësues të pushtetit. Qëllimi është i qartë: të parandalohet gjyqësori dhe prokuroria e pavarur dhe të vazhdohet me pandëshkueshmërinë. Prandaj VMRO-ja qëllimisht e bllokon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Evropa ka mekanizmat e saj për prokurori të pavarur”, th Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Kryeministri Mickoski hodhi poshtë akuzat duke thënë se ky raport është më i miri që vendi ka marrë ndonjëherë, pasi krahas kritikave përmban edhe shumë lëvdata për politikat e realizuara. Mickoski u shpreh se mesazhet e tij publike drejtuar njerëzve të drejtësisë nuk janë presion, por një përgjegjësi politike. Lidhur me vërejtjet e konstatuara në raport për buxhet të pamjaftueshëm në gjyqësor, Mickoski i prerë, nuk ka më shumë para dhe se gjyqësori i pavarur nuk nënkupton më shumë mjete financiare

“Unë do të vazhdoj në këtë drejtim të dërgoj mesazhe me të gjithë përgjegjësinë dhe rrezikun politik që kam, do të vazhdoj derisa të shohim përparim në ndarjen e drejtësisë, kjo është e para. Së dyti, më shumë para nuk do të marrin, edhe pse kërkohet që në ligjin për prokurorinë publike të vendoset një shumë prej 0.5% nga buxheti, nuk do të marrin sepse nuk i kanë marituar. Presim që ta sjellin drejtësinë. Ajo që ne mundësuam me këto ndryshime është fakti se gjithçka që kërkuan në pjesën e punësimit, pavarësisë e kështu me radhë, e morën, thjesht para më shumë nuk ka dhe nuk do të marrin më shumë para”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.

Mickoski gjithashtu e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të ndalet me thirrjet publike për reforma dhe porositi organet e drejtësisë se nga ata tani pret vetëm punë dhe rezultate konkrete.

LEXO EDHE:

Back to top button