Përplasje VMRO-DPMNE – LSDM pas arrestimit të Stefan Bogoevit
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Arrestimi i ish-drejtorit të Doganës, Stefan Bogoev, ka shkaktuar përplasje të re politike mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Partia në pushtet akuzon Bogoevin për përfshirje në raste ryshfeti dhe korrupsioni, duke pretenduar se ai po shkon pas hapave të ish kryeministrit Zoran Zaev.
“Bogoev është i dyshuar për kurdisje të tenderit në Doganë në vlerë prej 300 mijë euro. Për këtë ka marrë ryshfet në vlerë prej 2 mijë euro për të ndikuar epilogun e procedurës. Fëmija i Zaevit, Stefan Bogoev, vazhdon në hapat e tij. Si i pari, ashtu edhe i dyti.” –tha Mile Lefkov – VMRO-DPMNE
Ndërkaq LSDM arrestimin e Bogoevit e cilëson si të motivuar politikisht dhe si përpjekje për defokusim nga kritikat e Bashkimit Evropian.
“A ka dikush që beson në këtë gjyqësor dhe prokurori të partizuar pas urdhrave të Mickoskit përmes foltores së Kuvendit, në televizion dhe në fund direkt përmes telefonit? A ka dikush që mund të thotë se kjo është e vërtetë apo megjithatë bëhet fjalë për një rast të montuar në ditën kur Mickoski merr kritika, kur të gjitha gënjeshtrat e tij para qytetarëve dalin në pah?”- thanë nga LSDM.
Ndërkohë Gjykata shqiptoi masën e paraburgimit 30 ditor për ish-drejtorin e Doganave Stefan Bogoev, ish-ndihmësdrejtorin Semir Musa dhe dy personave të tjerë. Dyshohen për shpërdorim të procedurave të prokurimit, mitmarrje dhe shpërblim për ndikim të kundërligjshëm. Bogoev dhe Musa dyshohen se në thirrjen publike për “Higjienën e jashtme të kalimeve kufitare dhe terminaleve doganore” kanë manipuluar procesin për të favorizuar një kompani. Drejtori dhe ndihmësdrejtori kanë ndryshuar kushtet e tenderit dhe kanë penguar kompani të tjera të marrin pjesë, duke siguruar që kontrata prej 18.5 milion denarësh t’i jepet subjektit të përzgjedhur. Sipas hetimeve, kjo është bërë në këmbim të përfitimeve financiare dhe dhuratave, ndërsa Stefan Bogoev dyshohet se ka përfituar rreth 111.600 denarë./Alsat.mk.









