Përvjetori i pavarësisë thellon përçarjen VMRO-LSDM

Përvjetori i pavarësisë thellon përçarjen VMRO-LSDM

Gazetar: Adrian Kerimi

Në 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, kreu i opozitës Hristijan Mickoski shfrytëzoi mundësinë për të krahasuar referendumin për pavarësi me referendumin e ardhshëm sipas tij për dinjitet, shkruan Alsat.

Sipas Mickoskit, sot Maqedonia e Veriut gjendet në sfidën e njëjtë si para tre dekadave.

“Vota në referendum e bëri Maqedoninë të pavarur. Vota në referendum do ta bën Maqedoninë shtet me dinjitet. Pas 31 viteve gjendemi para sfidës së ngjashme. Përmes referendumit ta mbrojmë shtetin nga tendencat për kushtëzime dhe asimilim, ndërkohë të vazhdojmë rrugëtimin drejtë BE-së. Vota tani do të jetë guxim”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në procedurën për shpalljen e referendumit në Kuvend, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski deputetët e LSDM-së do të veprojnë në përputhje me interesat shtetërore. Kovaçevski nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në diskutimet dhe vendimet për formalizimin e nismës për referendum.

“Grupi parlamentar i LSDM-së do të vepron me dinjitet dhe në mënyrë shtetërore ashtu siç ka vepruar në 31 vitet e fundit. LSDM-ja bashkë me partnerët e koalicionit solli të gjitha vendimet e vështira por me largpamësi për shtetin. Për dallim nga grupet tjera parlamentare të cilat nuk kanë mbështetur asnjë vendim strategjik për shtetin. Fakti që nuk kanë mbështetur asnjë vendim strategjik, nuk i jep të drejtë të bllokojnë rrugën e vendit drejtë BE-së. Tani kemi negociata të filluara. Sa shpejtë do të ecim, varet nga gjithë ne”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Pas dorëzimit të nënshkrimeve kualifikuese, të premten VMRO-DPMNE-ja do të dorëzon nismën për referendum në Kuvend. Nga e hëna, Kuvendi do të procedon aspektin teknik të saj dhe do ta filtron në trupat amë, për të vendosur nëse nisma e opozitës është në rregull ose jo. Përmes referendumit, VMRO-DPMNE-ja tenton abrogimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë e nënshkruar në vitin 2017 mes ish kryeministri Zoran Zaev dhe ish homologut të tij bullgar, Bojko Borisov. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button