Plani aksional bullgar, me qëndrime të vjetra rreth identiteti maqedonas

Presidenti, Stevo Pendarovski thotë se qëndrimi i deritanishëm i Bullgarisë rreth identitetit maqedonas është pjesë e Planit aksionar bullgar. Kreu i shtetit konfirmon se Bullgaria ka përfshirë çështjet e identitetit edhe në dokumentin me të cilin i përgjigjet Planit aksionar që Shkupi ia ka dorëzuar kohë më parë. Pendarovski është i prerë se kontesti tashmë ka dalë jashtë kornizës së Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017-të, ndërsa nuk bëhet fjalë për fjalor parazgjedhor të Sofjes.

“Tashmë disa muaj, sjellja e palës tjetër ka dalë tërësisht nga parametrat e Marrëveshjes dhe jo vetëm nga parametrat dhe mandati i Komisionit. Propozimi nga pala bullgare ndaj planit tonë aksionar nuk i përgjigjet një pjese të kërkesave tona. Në të imponojnë atë çfarë mendojnë për atributet e identitetit të popullit maqedonas. Ne atë nuk e kërkojmë. Nuk e përmendim në Planin Aksionar sepse kjo është jashtë të gjitha negociatave. Mund ta bisedojmë çdo sferë tjetër, por sigurisht nuk do të bisedojmë për atë se cilët dhe çfarë jemi”, pohoi Stevo Pendarovski, president.

Në intervistë për agjencinë e lajmeve, MIA, Pendarovski paralajmëroi se javën e ardhshme ministrat, Osmani e Dimitrov për kontestin do të flasin para Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, gjë për të cilën ka insistuar opozita maqedonase tashmë një kohë të gjatë. I pyetur rreth kërkesës bullgare për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes, Pendarovski tha se nuk është demokratike të dënohen mijëra qytetarë për postime në rrjetet sociale, por është e patolerueshme kur këtë e bëjnë institucionet shtetërore. Ndërkohë opinioni në fqinjin lindor ka dënuar ashpër djegien e flamurit bullgar gjatë karnavalit të dy ditëve më parë në Vevçani. Euro-ambasadori bullgar, Angell Xhambaski në një postim në rrjetet sociale shkroi se nuk mund të lejohet përdhosja e simboleve kombëtare, si dhe çdo formë tjetër të gjuhës së urrejtjes, e cila është mashtrim me kujtesën e paraardhësve. Ai theksoi se Maqedonia e tillë nuk mund të ketë vend në BE ose në botën e civilizuar. Ndërsa pati thirrje edhe për tërheqjen e ambasadorit bullgar nga misioni në Shkup. Një ditë më parë për aktin e djegies së flamurit, Sofja i dërgoi notë të ashpër proteste Shkupit, përmbajtja e të cilit gjithsesi mbetet e panjohur.

 

LEXO EDHE:

Back to top button