Rasti “Monstra”, javën e ardhshme fjalët përmbyllëse

Mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Monstra” pret aktvendim lirimi. Avokati Naser Raufi pret që Gjykata Penale të vërtetojë se të gjithë ata që akuzohen nuk kanë lidhje me aktin makabër dhe vrasjen e pesë personave në liqenin e Smillkovës, para tetë viteve. Procesi tashmë është drejt përfundimit kurse gjykata do të vendosë më 21 janar nëse do t’i pranojë provat e të akuzuarve.

- Advertisment -

“Mendoj se provat do të pranohen. Kjo është për shkak të rezistencës së pazakontë të prokurorisë. Për secilën nga provat dhe propozimet tona, kemi rezistencë nga prokuroria. Me të vërtetë nuk e kuptoj pse. Justifikimi është se kjo çështje ka zgjatur shumë dhe pse është çështje paraburgimi, duhet të shkojë më shpejtë”, pohoi Naser Raufi, avokat në rastin “Monstra”.

Raufi vlerëson se as ky rigjykim nuk është i drejtë. Edhe në këtë proces nuk kanë qenë në gjendje t’i paraqisnin të gjitha provat e tyre. Prokuroria nuk ka dëshmuar se të pandehurit e kanë kryer ngjarjen makabër.

“Pritjet tona janë që do të ketë rikualifikim të prokurorisë, sepse në asnjë rast nuk mund të ketë akuzë të tillë si ajo e mëparshme se bëhet fjalë për ndonjë lloj terrorizmi. Mendoj se do të ketë rikualifikim dhe se për disa nga të pandehurit aktakuza do të tërhiqet por ndoshta edhe për të gjithë”, tha Naser Raufi, avokat në rastin “Monstra”.

Tashmë për më 21 janar janë caktuar fjalët përmbyllëse për rastin Monstra, ku Penalja duhet të vendosë nëse do t’i pranojë provat shtesë të të pandehurve. Alil Demiri, vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviç, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Ljuta akuzohen për vrasjen në Liqenin e Smilkovës në vitin 2012. Gjykata Penale i dënoi me burgim të përjetshëm gjashtë vjet më parë, por Gjykata e Lartë e shfuqizoi dënimin tre vjet më vonë. Rasti filloi me rigjykim ndërsa çështjen e mori PSP-ja.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button