“Poligraf”: Cilat portale botuan dezinformata nga zëdhënësja e MPJ-së ruse Zaharova?

“Poligraf”: Cilat portale botuan dezinformata nga zëdhënësja e MPJ-së ruse Zaharova?

Disa pjesë nga një intervistë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Zaharova, në të cilat ka dezinformata, janë transmetuar nga portalet në vend, pa e bërë kontrollimin e fakteve.

Më 09.12.2023, portali “MKD Press EU” e publikoi tekstin me titull: “Zaharova: Nuk do të lejojmë një shtet nazist në afërsinë tonë”, i cili përmban këtë deklaratë: “Nuk do të lejojmë që afër kufijve tanë të ekzistojë një shtet nazist agresiv, nga territori i të cilit mund të ketë rrezik për Rusinë dhe vendet fqinje”.

Kjo deklaratë gjendet edhe në titullin e portalit Infomax, “Moska: Rusia nuk do të lejojë “shtet nazist” në kufirin e saj”, me dallimin se termi “shtet nazist” është i vënë në thonjëza.

Është e qartë se kjo deklaratë i referohet Ukrainës, sepse Zaharova vazhdon të flasë për “demilitarizimin dhe denazifikimin e saj”, duke pretenduar se “Kievi duhet të ndërpresë armiqësitë dhe të tërheqë trupat e tij nga territori rus”.

Mirëpo, Ukraina nuk është fare një “shtet nazist agresiv”, por një vend demokratik. Në të gjithë indekset relevante të demokracisë dhe lirisë, Ukraina është vlerësuar më mirë se Rusia. Për shembull, në Indeksin “Liria në Botë 2023”, Rusia vlerësohet si një vend jo i lirë, kurse në Indeksin e Demokracisë të Economist si një “regjim autoritar“, ndërsa Ukraina është vlerësuar më mirë, si një regjim hibrid.

Përveç kësaj, deklaratat se Ukraina është “shtet nazist” dhe se Rusia po zbaton “denazifikim” janë pjesë e narrativës së rremë kryesore me dezinformata të Kremlinit që përdoret për të justifikuar invazionin mbi Ukrainën. Këto narrativa të rreme janë përgënjeshtruar disa herë nga verifikuesit e fakteve në mbarë botën, të cilët kanë hedhur poshtë tezat se Ukraina është “shtet nazist” dhe se Rusia po bën “denazifikimin” e saj.

Edhe presidenti i Ukrainës i zgjedhur në mënyrë demokratike, Volodimir Zelenski, gjyshi i të cilit ishte hebre, ka reaguar ndaj pohimeve të rreme të Putinit për “denazifikim” kur filloi invazioni mbi Ukrainën: “Si mund të jem unë nazist?”.

Së treti, edhe pretendimi i Rusisë se Ukraina qenka agresive, si dhe kërkesa ndaj Kievit për të “tërhequr ushtarët nga territori rus” nuk bazohen në fakte. Është Rusia ajo që filloi agresionin dhe pushtoi territore të Ukrainës, për të cilën edhe u dënua me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me 141 vota kundër 5 votave.

Thënë shkurt, të gjitha pretendimet e përmendura nga Zaharova mund të vlerësohen si dezinformata. Mediat nuk duhet të përcjellin në mënyrë jokritike deklaratat e propagandistëve rusë si Zaharova, sepse kështu bëhen kanale të propagandës ruse me dezinformata.

LEXO EDHE:

Back to top button