“Poligraf”: Dezinformata janë pretendimet se pushimi i lehonisë do të shkurtohet

“Poligraf”: Dezinformata janë pretendimet se pushimi i lehonisë do të shkurtohet

Disa portale dhe profile anonime në rrjetet sociale botuan pretendime se me projektligjin për marrëdhëniet e punës do të ulet pushimi i lindjes nga 9 në 5 muaj.

Ky pretendim u përhap më 14.01.2023 nga më tepër llogari anonime në Tuiter. Disa nga këto postime përhapën edhe teori konspiracioni se kjo qenka “një strategji e satanistëve për të zvogëluar popullsinë, për të dekurajuar gratë nga lindja”.

Informatat e tilla të pavërtetuara u përhapën edhe nëpër portale: “Pushimi i lehonisë i nënave të punësuara do të shkurtohet nga 9 në 5 muaj, reagon opinioni në rrjetet sociale pasi që u paraqit projekt – ligji”, njoftoi fillimisht Skopje info më 14.01.2023.

Portali Expres.mk, nga ana tjetër, theksoi se “Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk i mohojnë informacionet, sipas të cilave pushimi i lehonisë do të zgjasë vetëm 5 muaj në vend të 9 muajve të deritanishëm”.

Por, të njëjtën ditë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale sqaroi për “Fokus” se pushimi i lindjes nuk shkurtohet: “Edhe pse në shikim të parë duket se periudha e pushimit të lehonisë është zvogëluar, prapëseprapë nuk është kështu, sepse nëna ka 5 muaj pushim lehonie dhe 4 muaj pushim prindëror, kështu që ajo qëndron me fëmijën njësoj si deri tani, 9 muaj.”

Edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska në faqen e saj në Fejsbuk sqaroi se pushimi i lehonisë nuk shkurtohet: “Definitivisht nuk do të shkurtohen 9 muajt që i takojnë nënës për t’u kujdesur për foshnjën e saj pas lindjes! Me këtë projektligj po i japim mundësinë edhe babait të marrë pjesë në kujdesin e fëmijës!”.

Edhe Vërtetëmatësi, në analizën “Nuk është e vërtetë që pushimi i lehonisë i nënës shkurtohet nga 9 në 5 muaj” konstaton: “Pushimi i lehonisë për nënën nuk shkurtohet, por mbetet i njëjtë, me atë që ndahet në 5 muaj pushim lehonie dhe 4 muaj pushim prindëror. Babai, po ashtu, fiton të drejtën për 4 muaj pushim prindëror”.

Thënë shkurt, pretendimet se pushimi i lehonisë do të shkurtohet u treguan të pabaza. Prandaj, i vlerësojmë si dezinformata, të cilat janë përdorur në rrjetet sociale dhe portale për sulme propagandistike kundër qeverisë dhe partive në pushtet.

LEXO EDHE:

Back to top button