Poligraf: Lajmi i vjetër për Kurtin nga viti 2020 i publikuar si i ri, para takimit me Vuçiqin në Ohër

Poligraf: Lajmi i vjetër për Kurtin nga viti 2020 i publikuar si i ri, para takimit me Vuçiqin në Ohër

Takimi mes presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Kurti që u zhvillua më 18.03.2023 në Ohër, ishte për më shumë ditë në fokus të mediave. Mes shumë përmbajtjeve të publikuara, kishte edhe të tilla që dezinformuan opinionin.

Një ditë para takimit, më 17.03.2023, më tepër media, duke iu referuar një raporti të korrespondentit të agjencisë MIA, publikuan tekste me titull: “Kurti nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e Thaçit”.

Në përmbajtjet e botuara shkruan: “Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin presidentit të shtetit i njihet e drejta për t’ia dhënë mandatin e kryeministrit një partie tjetër, përveç asaj që ka fituar zgjedhjet parlamentare, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.”

Por, nuk është e vërtetë se Kurti është tani kryeministër në dorëheqje, por kryeministër aktual i Kosovës. Ai ishte kryeministër në dorëheqje më 29.05.2020, kur u botua fillimisht lajmi i MIA-s.

Për shembull, në klasterin e lajmeve të agregatorit time.mk, shihet se titulli “Kurti nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e Thaçit” është publikuar nga portali A1on më 29.05.2020.

Edhe portali Opserver më 29.05.2020 botoi lajmin “Kurti nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e Thaçit”, e të njëjtin titull dhe tekst e ka ribotuar edhe më 17.03.2023.

Thënë shkurt, disa media e shfrytëzuan interesimin për takimin Kurti – Vuçiq në Ohër për të publikuar lajm të vjetër gati tre vjet. Asnjë nga këto media nuk e tërhoqi lajmin apo nuk u kërkoi falje lexuesve për gabimin. Edhe ky rast tregon se verifikimi i fakteve shpesh dështon te disa media, edhe pse është detyrë e tyre profesionale.

LEXO EDHE:

Back to top button