“Poligraf”: Lavrov dezinformon kur krahason Shtetet e Bashkuara me Hitlerin dhe Napoleonin

“Poligraf”: Lavrov dezinformon kur krahason Shtetet e Bashkuara me Hitlerin dhe Napoleonin

Më tepër media maqedonase transmetuan pjesërisht deklaratën e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, në të cilën ai krahason SHBA-të me Hitlerin dhe Napoleonin.

 

Ja çfarë deklaroi Llavrov në konferencën për shtyp më 18 janar 2023, të cilën e shpërndau edhe Ambasada ruse: “Si Napoleoni, i cili mobilizoi pothuajse mbarë Evropën kundër Perandorisë Ruse, dhe Hitleri, i cili pushtoi shumicën e vendeve evropiane dhe i hodhi mbi Bashkimin Sovjetik, SHBA-të kanë krijuar një koalicion të pothuajse të gjitha vendeve evropiane anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe po përdorin Ukrainën për të zhvilluar një proksi – luftë kundër Rusisë me qëllimin e vjetër për të zgjidhur përfundimisht “çështjen ruse”, si Hitleri, i cili kërkonte një zgjidhje përfundimtare të “çështjes hebraike””.

Mirëpo, kjo deklaratë e Llavrovit nuk bazohet në fakte. Së pari, siç theksojnë verifikuesit e fakteve të Polygraph.info, “grupi u krijua për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër invazionit rus” dhe se “nuk ka asnjë plan për të zgjidhur “çështjen ruse” ose për të eliminuar rusët“.

Gjithashtu, Polygraph.info kujton se “kundërshtimi ndaj hapave të Rusisë ishte i gjerë ndërkombëtar, e jo i kufizuar vetëm në SHBA dhe Evropë” dhe se 141 shtete anëtare të OKB-së dënuan invazionin e Rusisë në Ukrainë.

Më tej, “akuza e Llavrovit se SHBA-të dhe të tjerët synojnë të zgjidhin ‘çështjen ruse’, ashtu si Hitleri që kërkonte “zgjidhje përfundimtare” për “çështjen hebraike”, është pa prova. Në fakt, sulmet ekstensive të Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë kanë rezultuar në dënim ndërkombëtar dhe pretendime të besueshme për krime lufte”, vë në dukje Polygraph info.

Më 18.01.2023, edhe Kongresi Evropian i Hebrenjve iu përgjigj komenteve të Llavrovit: “Jemi të shokuar dhe të tmerruar nga ky krahasim i turpshëm i bërë nga ministri Llavrov midis veprimeve të koalicionit të vendeve demokratike dhe përndjekjes dhe vrasjes së gjashtë milionë hebrenjve nga Hitleri në Holokaust… Ky është një shtrembërim i Holokaustit në nivelin më themelor, dhe i bëjmë thirrje zotit Llavrov që të kërkojë falje pa mëdyshje dhe t’i tërheqë këto komente.”

Në shkrimin e “Nezavisen.mk”: “Deklarata e Llavrovit se Perëndimi kërkon “zgjidhje përfundimtare” në stilin e Hitlerit e zemëroi Izraelin”, ceket edhe reagimi i MPJ-së të Izraelit: “Çdo krahasim apo lidhje e ngjarjeve aktuale me planin për zgjidhje përfundimtare të Hitlerit për shfarosje të popullit hebre, e shtrembëron të vërtetën historike, e përdhos kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve dhe duhet refuzuar fuqimisht”.

Krahasimi i Llavrovit nuk ka as bazë historike, sepse në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ishte BRSS që bëri një pakt me Gjermaninë naziste dhe antisemite, pas të cilit, në shtator të vitit 1939, të dy vendet e pushtuan dhe e ndanë Poloninë.

Me krahasime të pabaza historike, Llavrov u përpoq të imponojë propagandën ruse për “denazifikim”. Ai pa prova i paraqiti vendet që ndihmojnë në mbrojtjen e Ukrainës si “hitleriane”, ndërsa Rusinë agresore si viktimë, që është dezinformatë.

LEXO EDHE:

Back to top button