Politika kërkon përgjegjësi penale për helmimin në Gostivar
Gazetar: Suad Bajrami
LSDM-ja opozitare kërkon llogari politike dhe penale për përgjegjësit e helmimit të qytetarëve të Gostivar me ujin e pijshëm. Jovanka Trençevska thotë se i tërë sistemi dështoi në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ndërsa qytetarët patjetër duhet ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur pse incidenti nuk është parandaluar.
“Vetëm tre ditë përpara se të zbulohet se njerëzit e Gostivarit kanë pirë ujë të kontaminuar Qendra për Shëndet Publik ka dorëzuar raport se uji mund të pihet. Në vend reagimit të shpejtë, koordinim urgjent, publikim të rezultateve nga uji dhe menaxhim, ndodhi kaos dhe kolaps të tërësishëm institucional. Në vend që autoritetet shëndetësore të kërkojnë kontroll të ujit dhe menjëherë të ndërmarrin masa, atë e bën me të dëgjuar Prokuroria Publike. Kështu analizat e ujit nuk u publikohen, Prokuroria thirret në fshehtësinë e hetimit, mjekët dhe qytetarët nuk e dinë se çfarë ndodh dhe me çfarë përballen. Fshihen informata të cilat patjetër duhet të dihen”, tha Jovanka Trençevska, LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së në pushtet, duke kërkuar llogari nga kryetari i Gostivarit Valbon Limani, të cilin e cilësojnë si kuadër të Filipçes, Ahmetit dhe Taravarit.
“Për dallim nga kuadri i LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit, në emër të Valbon Limanit, të cilët përveç që u vonuan me masa dhe ndihmë ndaj qytetarëve, nuk kërkuan falje dhe u distancuan nga kandidati i tyre, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE tregoi dhe dëshmoi si duhet të menaxhohet kriza në kohë. Mbi 60 tonë ujë, gostivarasit çdo ditë i marrin për pije dhe nevoja teknike. Rekomandimet dhe masat për atë se çfarë duhet të bëhet në këtë epidemi lokale, menjëherë janë dhënë nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Të dyshuarit menjëherë u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Gjatë ditës së djeshme pati reagime edhe nga BDI dhe VLEN të cilat kanë kërkuar hetim të plotë të rastit. /Alsat.mk








