Regjistrimi në procedurë parlamentare, pranohen disa kërkesa të opozitës shqiptare

Kuvendi vendos në procedurë propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë me tekst të plotësuar. Drafti i ri është propozuar me procedurë të shpejtë. Janë përfshirë disa vërejtje të opozitës, ndërsa për disa të tjera shumica parlamentare mendon se do ta zvarrisin procesin e miratimit të ligjit dhe janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

Të gjitha këto ndryshime të cilat janë si një akt i ri i dorëzuar në Kuvend kanë të bëjnë me rritjen e kredibilitetit të procesit të regjistrimit. Të gjitha vërejtjet e VMRO-DPMNE-së ndaj propozimeve të kaluara për këtë ligj nuk kanë përmbajtur një kërkesë të tillë dhe mendoj se derisa vijon debati do të ketë edhe kërkesa të reja dhe të pamundshme për t’u realizuar madje në kundërshtim me dispozitat e tjera ligjore – deklaroi Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

Opozita shqiptare kërkon komision shtetëror që zbaton regjistrimin. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkon që në dispozita ligjore të caktohet përkatësia etnike dhe të mos lihet hapësirë për interpretime gjatë regjistrimit.

Enti i Statistikave e ka autonominë e plotë për mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit. Ne mendojmë se duhet të ketë një kontroll shtetërorë. Pa të mendojmë se mund të ketë devijime sikur në vitin 2011. Tani nuk parashikohet Komisioni Shtetërorë për Regjistrim. Ne kemi komisione komunale për regjistrim por jo edhe komision shtetëror – tha Halil Snopçe, Deputet i ASH-së.

VMRO-DPMNE-ja mbetet në kërkesën për regjistrimin përmes aparateve që bëjnë detektimin e vijave papilare në gishtërinjtë. Sipas tyre, arsyetimi i pushtetit se ky model regjistrimi është i shtrenjtë nuk mbanë, pasi paraprakisht KSHZ-ja kishte caktuar procedurë tenderimi për blerjen e mbi 3.000 aparateve të tilla dhe vendosjen e tyre në përdorim në zgjedhjet e ardhshme.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button