Presidentja falë persona me dosje të rëndë kriminale, të dënuar për drogë dhe armatim
Presidentja falë persona me dosje të rëndë kriminale, të dënuar për drogë dhe armatim
Gazetar: Suad Bajrami
Festës së 23 Tetorit, nuk iu gëzua vetëm poeti Sllave Dimoski i cili sot u nderua për arritje në fushën e shkencës, kulturës dhe trashëgimisë, por edhe 10 persona të dënuar të cilët, presidentja Gordana Siljanovska Davkova i ka falur. Për nder të Ditës së Themelimit të Organizatës Revolucionare në Selanik, më 23 tetor të vitit 1893, presidentja është treguar e mëshirshme me Shenoll Masllanin, i cili para pesë vitesh u arrestua për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim. Sipas vendimit, Masllanit i kompensohen gjashtë muaj burg, me 6 muaj dënim me kusht.
1 vjet e 3 muaj burg i janë zëvendësuar me burg me kusht edhe Akif Ravmanovski nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit kriminal “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Ravmanovski, ndonëse kishte qenë në burg, para më shumë se një jave u përfshi në incident të armatosur ku mbeti i plagosur një 35-vjeçar. Sipas Policisë, ai kishte pasur leje për të punuar gjatë ditës, ndërkaq në mbrëmje të kthehej në burg për vuajtje dënimi.
Plotësisht është falur edhe personi Nikolla Tripçevski, i cili do të duhej të kishte vuajtur dënim me burg deri në 1 vit.
Faljes së pjesshme do t’i gëzohen gjithsej 7 persona.
Emër më i njohur në listë është ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, i cili u dënua me shtatë vite burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lëndën e ish Prokurorisë Speciale “Transportuesi”. Me vendimin për falje, Talevskit i është ulur dënimi për një vit, ndërkaq pasi tre vite i ka kaluar në paraburgim shtëpiak, do t’i mbeten edhe katër vite të tjera.
Nga 3 muaj burg Siljanovska ua ka falur Millço Efremovit, i dënuar për rastin “Spiuni” dhe personave Todor Popov, Tomisllav Simonov, Pero Kuzmanovski dhe Zhivko Delixhakov.
2 muaj, do t’i falen edhe personit Muarem Ali.
Sipas Ligjit për Falje, procedura për falje fillon me lutje të parashtruar nga i dënuar ose avokati i tij. Për lutjen, vlerësim duhet të japë burgu ku i dënuari e vuan dënimin, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë formohet komision për falje. Propozimin, komisioni e dërgon deri te komisioni për falje i presidentit, ndërsa më pas vendimin përfundimtar e merr ekskluzivisht presidenti. /Alsat.mk