Prilepi mund të hyjë në karantinë, shkak rritja e numrit të të infektuarve me Kovid-19

Kryetari i Prilepit, Ilija Jovanovski kërkon që komuna të futet në karantinë. Sipas tij, kjo kërkesë bazohet në rritjen enorme të rasteve të reja me Kovid-19 dhe ngarkimin e kapaciteteve spitalore. Jovanovski thotë se kërkesa e tij bazohet në paralajmërimet për një valë të tretë, e cila sipas tij mund të jetë edhe më fatale për Prilepin.

Në bazë të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të qytetarëve në Prilep dhe numrit të rritur të pacientëve të infektuar dhe të viktimave si pasojë e Kovid-19, kërkojë nga Shtabi i Krizës dhe Qeveria përforcimin e masave shtrënguese dhe masa plotësuese në të gjithë territorin e Komunës së Prilepit – tha Ilija Jovanovski, Kryetar i Prilepit.

Shtabi Krizës ka pranuar kërkesën e tij. Çështja duhet diskutuar si fillim në Ministri të Shëndetësisë dhe më pas edhe në mbledhje të Komisionit për Sëmundje Infektive, i cili duhet të jep mendimin përfundimtar bazuar në pasqyrën epidemiologjike. Burime nga KSI thonë se për këtë çështje do të diskutohet ditën e premte. Në rast se konstatohet nevoja për karantinë apo masa të tjera shtrënguese, Shtabi i Krizës kërkon nga Qeveria vendosjen e Komunës së Prilepit në karantinë duke përcaktuar edhe periudhën kohore. Prilepi muajin e fundit ka shënuar rritje enorme të rasteve të reja. Ditë më parë regjistroi 6 viktima, ndërsa që nga fillimi i pandemisë numëron 120 të vdekur si pasojë e Kovid 19. Numri i rasteve aktive është pranë shifrës 1.000, ndërsa pas Shkupit, Komuna e Prilepit regjistron incidencën më të lartë me të infektuar në 100 mijë banorë, përkatësisht shkalla e incidencës arrin në 2.820. 10 ditët e fundit në Prilep është regjistruar edhe mortaliteti më i lartë krahasuar me komunat simotra.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button