Pritet mbërritja e shtetasve tanë nga Kabuli

Disa nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët ditëve të fundit në grupe u evakuuan nga Afganistani raportohet të jenë nisur me aeroplan nga Stambolli, ndërkohë që pritet arritja e tyre në aeroportin e Shkupit. Bëhet fjalë për rreth 30 persona të cilët pas evakuimit ishin vendos në Doha të Katarit dhe sot paradite arritën në Stamboll. Nuk ka informacione se kur do të arrijë në vend pjesa e mbetur e shtetasve që kishin fluturuar nëpër shtete të tjera.

Por për dallim nga shtetasit e Maqedonisë që tashmë janë larg tensioneve që ndodhin aktualisht në Kabul, diçka e tillë nuk mund të thuhet për shtetasit afganë që do të strehohen tek ne. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, numri i tyre është rritur edhe për 70.

“Sigurisht që kemi kapacitet. Tani numri lëviz nga 450-500, por ne ofruam edhe më shumë kapacitet, sepse kemi më shumë mundësi. Ende nuk e dimë saktë edhe sa nevojë do të ketë. Por kapacitet tona janë për të strehuar 1000, 1200, apo 1800 afganë. Ne kemi konfirmuar rreth 450, ndërsa po verifikohen edhe 70 të tjerë.”- deklaroi Zoran Zaev- kryeministër i RMV-së.


Mëngjesin e sotëm trupi koordinues i formuar për menaxhimin e kësaj situate ka mbajtur mbledhje dhe jo zyrtarisht mësojmë se është marrë vendim që askush të mos shpalosë detaje rreth mbërritjes së afganëve dhe menaxhimit të kësaj situate, pa lejen e ekzekutivit. Alsat mëson se informacione konkrete rreth gjithë procesit të strehimit të shtetasve afganë nuk do të jepen para ditës së hënë. Mbërritja e rreth 40 shtetasve të parë pritet nesër ose  gjatë të dielës. Plani për risocializimin e këtyre shtetasve do të zbatohet nga Kryqi i Kuq në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button