Stuhia shkatërron të mbjellat në Haraçinë, banorët kërkojnë ndihmë
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Stuhia e fortë që goditi disa vende të Shkupit, ka përfshirë edhe rajonin e Haraçinës.
Dëmet më të mëdha janë regjistruar në kulturat bujqësore, nga cka banorët thonë se kanë përjetuar humbje të mëdha.
“Dëme ka pas por jo shumë të mëdha, diku ndoshta ka më shumë. Mbulesat mi ka grisur, edhe ka thyer disa rrënjë. Askush nuk është lajmëruar, ju jeni të parët,” tha një banor.
“Janë të dëmtuara plotësisht mbulesat e bardhë ndër plantacione, pjesërisht do të thotë materiali i brendshëm është i dëmtuar, por gjithashtu edhe duhani i cili ka qenë i mbrojtur,” tha një tjetër banor.
“Ndihmesa nuk kemi prej askujt. Do të thotë ne jemi vetëm prej mëshirës së Zotit. Shteti nuk na ka ndihmuar. Ne jemi të detyruar të dalim në televizion me kërkuar ndihmë prej shtetit,” u shpreh një banor.
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri tha për Alsat se kanë marrë masa të menjëhershme për të stabilizuar situatën, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e Ministrisë së Bujqësisë.
“Edhe bujqit intervenuan menjëherë dhe reaguan, na dhanë informacion se kanë edhe dëme në kulturat bujqësore. Qysh në orët e hershme të mëngjesit i komunikuam përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe e shqyrtuam mundësinë që të formojnë një komision që të dalin ti vlerësojnë dëmet që të ju dalim në ndihmë bujqve,” deklaroi Daut Beqiri (Kryetari i Komunës së Haraçinës).
Edhe pse stuhia zgjati relativisht pak, pasojat u ndjenë në disa pjesë të komunës, ndërsa ekipet punuan për normalizimin e situatës. Janë dëmtuar pemë, llamarina mbrojtëse, cati dhe rrugë. Pasdite situata u duk e normalizuar. /Alsat.mk








