Stuhia godet rajonin, dy viktima në Shqipëri dhe dëme të mëdha
Gazetare: Amila Rashiti
2 viktima nga moti në Shqipëri. Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi jetën pasi ra nga shtylla e energjisë elektrike në Himarë, duke punuar për riparimin e defekteve të shkaktuara nga stuhia. Ndërkohë trupi i pajetë i një peshkatari 61-vjeçar edhe gjetur në Ksamil.
Dyshohet se peshkatari ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi kishte dalë për peshkim. Autoritetet po vazhdojnë hetimet.
Reshjet dhe era e fortë shkaktuan dëme të shumta në të gjithë Shqipërinë, ndërsa zonat më të prekura ishin Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.
Në Sarandë si pasojë e stuhisë, tre qytetarë mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë pesë anëtarë të një familjeje, mes tyre tre fëmijë, u shpëtuan nga Policia Kufitare në Himarë pasi rrezikuan të mbyteshin në det, kur mjeti i tyre lundrues pësoi defekt për shkak të stuhisë që goditi jugun e Shqipërisë. Ngjarja ndodhi në afërsi të plazhit të Jalës.
Nga ana tjetër edhe në Kosovë stuhia ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Istogu, Suhareka dhe Lipjani janë zonat që pësuan më së shumti nga stuhia, sidomos në infrastrukturë, rrjetin e energjisë dhe kulturat bujqësore. Autoritetet në Kosovë kanë alarmuar për një stuhi të re të mundshme, duke apeluar qytetarët për kujdes të shtuar.
Moti i paqëndrueshëm gjunjëzoi dhe disa pjesë të Bosnjë- Hercegovinës dhe Kroacisë. Ndërkohë meteorologët kanë lëshuar paralajmërim të nivelit 2 edhe për pjesë të Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë, ku gjatë 24 orëve të ardhshme priten stuhi të forta me breshër të madh, erëra të fuqishme dhe reshje intensive. /Alsat.mk








