Pro-rusët e shpallin referendumin e suksesshëm, Zelenski i drejtohet OKB-së: Izoloni Rusinë

Pro-rusët e shpallin referendumin e suksesshëm, Zelenski i drejtohet OKB-së: Izoloni Rusinë

Shkëlzen Aqifi

Autoritetet pro-Moskës në Luhanskun e pushtuar pretenduan se banorët në rajon votuan për t’u bashkuar me Rusinë në referendumet që SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë hedhur poshtë si të paligjshme. Sipas zyrtarëve zgjedhorë të instaluar nga Rusia, 93% e votave të hedhura në rajonin e Zaporizhzhia mbështetën aneksimin, ashtu si 87% në rajonin Kherson, 98% në rajonin Luhansk dhe 99% në Donetsk.

“E ëndërronim që në vitin 2014. Më pas bëmë histori. Kjo është ajo që është. Sot jetojmë në ditë historike. Ne po bashkohemi me atdheun tonë të madh, me Rusinë e madhe”, tha Denis Pushillin, Udhëheqës i instaluar nga Rusia në Luhansk.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy referendumet e drejtuara nga Kremlini në rajonet e pushtuara të Ukrainës i cilësoi si “farsë”. Ai tha se Ukraina do të mbrojë qytetarët në rajonet e pushtuara nga Rusia ndërsa Moska është shumë pranë aneksimit.

“Krimi i agresionit kundër shtetit tonë, farsa në territorin e pushtuar, që pushtuesit e quajnë referendum, përgatitja e një përpjekjeje tjetër për të aneksuar territorin ukrainas – të gjitha këto janë hapa që Rusia po ndërmerr për të përfunduar Kartën e OKB-së. Zbatimi nga Rusia i të ashtuquajturit skenar i Krimesë dhe një përpjekje tjetër për të aneksuar territorin ukrainas do të thotë se nuk ka asgjë për të folur me këtë president të Rusisë”, u shpreh Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara thanë se në fund të kësaj jave ose fillim të javës tjetër do të paraqesin një rezolutë që dënon referendumet. Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas Greenfield referendumet i quajti të rreme dhe tha se ato ishin “të paracaktuara në Moskë”.

“Populli ukrainas ka treguar tashmë se nuk do të pranojë kurrë t’i nënshtrohet sundimit rus. Pra, ne po paraqesim një rezolutë bashkë me Shqipërinë, që dënon referendumet e rreme, që i bën thirrje të gjitha shteteve të mos njohin asnjë status të ndryshuar të Ukrainës dhe detyron Rusinë të tërheqë menjëherë trupat e saj nga Ukraina”, deklaroi Linda Thomas-Greenfield, Ambasadore e SHBA-së në OKB.

“Askush në botë nuk do ta marrë seriozisht rezultatin e njerëzve që votojnë me armë për një referendum në gërmadha. Zonja dhe zotërinj, le ta sqarojmë. Referendumet e rreme në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë. Nuk ka të bëjë me vullnetin e lirë të ukrainasve. Nuk ka të bëjë me asnjë standard ndërkombëtar zgjedhor”, deklaroi Ferit Hoxha, Ambasador i Shqipërisë në OKB.

President rus Vladimir Putin pritet t’i drejtohet parlamentit për referendumet të premten.

Ndërkohë forcat ruse kanë kryer sulme ajrore në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv. Luftime të ashpra po ashtu po vazhdojnë në rajonin e Hersonit. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button