Postimet me armatë përmes degës së Haraçinës, LSDM nuk merr përgjegjësi

Postimet me armatë përmes degës së Haraçinës, LSDM nuk merr përgjegjësi

Gazetar: Mefail Ismaili

LSDM nuk mendon se duhet të ketë përgjegjësi pas skandalit të një dite më parë, kur dega e kësaj partie në Haraçinë, përmes faqes zyrtare në Facebook, u bënte thirrje gjithë aplikantëve për punë në Armatën e Maqedonisë, të paraqiten tek kryetari i degës, shkruan Alsat.

Deputeti i LSDM-së, Mile Talevski, deklaroi se distancohen nga ky veprim i degës së Haraçinës.

“Absolutisht distancohemi nga ajo që u publikua në Facebook. Ajo që mund ta dëshmojmë dhe garantojmë ne si anëtare e NATO-s, se të gjitha shpalljet që më herët u realizuan nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes u organizuan në bazë të gjitha standardeve të NATO-s dhe se këtu në pjesën e asaj që do të thotë partizim e kështu me radhë nuk bëhet fjalë për asgjë”, tha Mile Taleski, LSDM.

Kryetari i degës së LSDM-së në Haraçinë Arben Ramadani, nuk pranoi të tregoj arsyet pse u është bërë thirrje banorëve që dëshirojnë të punësohen në Armatë si ushtar profesionist, të paraqiten tek ai.

Nga opozita deklarojnë se LSDM dhe Qeveria duhet të përgjigjen për faktin që në një vend anëtare të NATO-s ushtarët profesionist punësohen përmes degëve partiake. Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragi Kovaçki, përgjegjësi duhet të ketë pasi veprimi i LSDM-së është turp për vendin.

“Kjo është turp edhe për ARM-në edhe për NATO-n dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Nuk guxon i gjithë skandali sipas meje të kalojë me distancimin nga dega e Haraçinës. Kjo nuk është bërë me vetë dëshirë, kjo është bërë me rekomandim të dezertuesit Kovaçevski dhe çiraku i tij Mile Zeçeviq. Duhen dorëheqje edhe nga Sllavjanka Petrovska edhe nga e gjithë Qeveria”, u shpreh Dragi Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Nga Lëvizja BESA thonë se ky veprim, dëshmon që pushteti e ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr me institucionet publike.

“Fatkeqësisht publikimi për konkurs në profilin e degës LSDM Haraçinë dëshmon realitetin e hidhur të partizimit të skajshëm të institucioneve shtetërore. Është e pa tolerueshme që një anëtare e NATO-s, punësimin në ushtrinë profesionale ta bëjë përmes degëve partiake. Kjo dëshmon se Qeveria LSDM-BDI ka humbur çdo kredibilitet për të udhëhequr me institucionet publike”, thonë nga Lëvizja Besa.

Ndërkohë pas reagimeve të shumta në opinion thirrja për aplikantët e Haraçinës të paraqiten te kryetari i degës për punësim në Ushtri është fshirë nga rrjetet sociale, ndërsa në mesditë në faqen e njëjtë është shkruar se postimi i një dite më parë nuk është publikuar nga Dega e Haraçinës, por profili u është vjedhur./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button