Ohër, assesi të zgjidhet problemi me mungesën e mjekëve pediatër

Ohër, assesi të zgjidhet problemi me mungesën e mjekëve pediatër

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka dalë me premtimin e tretë për zgjidhjen e problemit me repartin e fëmijëve në Ohër. Prej një viti funksionon vetëm si klinikë e zakonshme, për mungesë të mjekëve pediatër. Premtimet janë pothuajse të njëjta me dy të mëparshmet. Ai thotë se mungesa e kuadrove profesionale do të duhet të kompensohet nga qytetet përreth, shkruan Alsat.

“Kjo do të thotë se nga drejtorët është kërkuar që të ketë marrëveshje mes dy institucioneve, që mjekët nga Struga dhe Ohri të bëjnë rotacione në baza javore”, deklaroi Bekim Sali – Ministër i Shëndetësisë.

Në fillim të prillit të këtij viti, nga zyra e ministrit thanë se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme dhe afatgjatë. Por vjeshta ka ardhur dhe zgjidhje nuk ka.

“Nuk është e lejuar, megjithatë është. Në periudhën e kaluar ka pasur largime masive të personelit shëndetësor dhe në dy vitet e fundit me përmirësimin e kushteve të punës për mjekët është ulur dinamika e largimeve”, tha Bekim Sali – Ministër i Shëndetësisë.

Reparti i fëmijëve në Ohër që nga muaji nëntor punon vetëm si ambulancë e zakonshme, nga e hëna në të premte me orar deri në ora 19:00. Për shtrimin në spital, gjatë festave, fundjavave dhe në mbrëmje, pacientët detyrohen të shkojnë në Strugë. Për momentin janë vetëm dy pediatër, njëri prej të cilëve shpesh është në pushim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore. Dy praktikantë vetëm ndihmojnë, por nuk kanë të drejtë të kujdestarisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button