Prodhuesit e duhanit kërkojnë çmim real për blerjen e duhanit

Prodhuesit e duhanit sërish dolën në rrugë. Ata për dy orë bllokuan rrugën para Prilepit, ndërsa bllokada më e madhe ishte në rrugën Prilep – Gradsko, në Pletvar. Protesta pati edhe në rajonin e Strumicës. Duhani i tyre sërish vlerësohet për dy klasa më poshtë dhe me këtë edhe shitet me çmim më të ulët. Prodhuesit thonë se janë mashtruar nga kompanitë. Nëse nuk hiqet klasa e katërt e duhanit dhe çmimi i duhanit nuk arrin 200 denarë për kilogram, bllokadat do të vazhdojnë.

Ata na mashtruan, e gënjyen edhe ministrin. Kjo do të dalë jashtë kontrollit. Blerësit e duhanit urgjentisht t’i japin garanci shtetit për kërkesat tona. Kjo do të kthehet në anarki, tubime dhe përhapjen e vatrave të Kovidit. Njerëzit nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk do të tërhiqen. Shteti urgjentisht të gjejë mekanizëm për të parandaluar këtë grabitje që po u ndodh prodhuesve të duhanit dhe menjëherë ta zgjidh problemin”-tha Igor Mirçevski, prodhues duhani.

Prodhuesit reagojnë se një kilogram duhan e shesin edhe për 100 denarë.

Për ne është e njëtë, nëse do vdesim nga ftohja, korona ose gripi. Ose nga uria! Nëse është e nevojshme, do të bllokojmë deri në vitin e ri të ardhshëm. Do ta bllokojmë gjithë vendin. Bota do të çuditet për bllokadat, derisa të arrijmë atë që kërkojmë”-theksoi Vasko Josfivski, kultivues duhani.

Protesta e sotme për ministrin Arijanit Hoxha ishte e pritur. Ai dje pranoi se kompanitë nuk e kanë respektuar marrëveshjen për vlerësim real të duhanit. Të premten, prodhuesit e duhanit do të kenë takim të ri me Ministrin e Bujqësisë.

Igor Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button