Produktet ushqimore bazë janë shtrenjtuar nga 5 deri në 25 denarë

Produktet ushqimore bazë janë shtrenjtuar nga 5 deri në 25 denarë

Gazetare: Andrea Cobanova

Produktet ushqimore bazë në vend janë kthyer në luks për qytetarët brenda pak ditësh. Çdo produkt pas heqjes së masave qeveritare shitet për çmim më të lartë prej 5 deri në 25 denarë mesatarisht.

Rritje më të madhe në një ditë ka shënuar vaji i gatimit, i cili është shtrenjtuar për 20 deri në 25 denarë.

Buka shitet për 5 deri në 10 denarë më shtrenjtë, sheqeri për tetë denarë, mielli dhe qumështi për 6 deri në 9 denarë, orizi për 5 deri në 7 denarë dhe fasulet me çmim 10 denarë më shtrenjtë.

Çmimet e ushqimeve

Bukë 5-10 denarë

Vaji ushqimor 20-25 denarë

Sheqeri 5-8 denarë

Mielli 6-9 denarë

Qumësht 6-9 denarë

Orizi 5-7 denarë

Fasulet 5- 10 den

Inspektorët e tregut, pas thirrjes së zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi, ditët e fundit po bëjnë kontrolle të shtuara.

Dënime për tregtarët apo prodhuesit mund të ketë vetëm nëse nuk e kanë ndryshuar çmimin e produktit në evidencë, por jo nëse vërtetohet se e kanë rritur artificialisht, thonë nga inspektorati i tregut.

“Është fakt se tashmë kemi konstatuar se disa produkte kanë marzhë shumë të madhe. Një shembull është konstatuar të premten në Gostivar ku  makaronat më 31 maj kanë kushtuar 45 denarë, ndërsa më 3 qershor është konstatuar se kushtojnë 69 denarë, por e gjithë kjo është evidentuar  në fletën e pranimit dhe tregtari e ka evidentuar  si ndryshim çmimi. Nuk mund të ndikojmë që tregtarët të ndryshojnë çmimet e tyre sepse është një ekonomi e tregut t[ lirë, gjithçka që regjistrohet dhe ajo që tregtari mendon se mund të vendosë si marzh nuk është e kufizuar”, tha Aneta Simeska Dimoska – Drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Për zëvendëskryeministrin Bytyqi tha se pas marrjes së raportit të inspektimeve, do të bëhen publike kompanitë që i kanë rritur artificialisht çmimet dhe ky do të jetë dënimi më i madh për prodhimet apo shitjet e tyre.

“Sapo të kenë mbaruar me punë shërbimet e inspektimit, gjegjësisht inspektimi i tregut, do të dalim me një listë të subjekteve dhe produkteve që kanë bërë disa kompani të shitjes me pakicë, sepse nuk mund të pranojmë që dikush të sillet me ndërgjegje – kemi kompani që shesin me zero për qind marzhë, pasi kishte ndalesë, ndërsa dikush t’i i rritë marzhat me 60 deri në 70 për qind”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Krahas çmimeve të ushqimeve, nga sot ka çmime të reja më të shtrenjta  edhe të biletave të transportit ndër qytete.

Bileta e autobusit në linjën Kumanovë-Shkup u shtrenjtua për 20 denarë, dhe tani është 170 denarë.

Ndërsa bileta Tetovë – Shkup nga 150 denarë kushton 200 denarë. Qeveria paralajmëron masa të reja deri në fund të muajit për qytetarët dhe kompanitë më të dobëta./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button