Programi 200, debat për tragjedinë në Tetovë

Zv/ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu zotohet se do të ketë përgjegjësi penale për ngjarjen tragjike në Tetovë, pasi institucionet hetimore të zbardhin ngjarjen dhe veprimet e secilit. Institucionet, thotë ai, kanë marrë të gjitha masat për hetim të plotë.

Në qoftë se bëhet fjalë për përgjegjësi penale, qoftë ajo të jetë e vogël sa edhe një kokërr gruri, ata edhe do të përgjigjen për të gjitha veprimet dhe këtë ne e kemi dëshmuar se mbajmë përgjegjësi përpara organeve. Vepra penale që është shkaktuar në tragjedinë në Tetovë ka edhe figurën e vetë, ka edhe elementet e veta dhe ne këtu nuk mund ta gjejmë majën e gjilpërës në kashtë, por janë organet që duhet të ndërmarrin një sërë veprimesh dhe procedurash për të zbërthyer elementet e veprës penale- deklaroi Agim Nuhiu, BDI.

Këto komente Nuhiu i bëri në emisionin “200” në Alsat. Megjithatë, opozita përgjigjet me mosbesim. Sipas tyre, institucionet disa herë kanë dëshmuar se për ngjarje të këtilla, shpesh nuk ka përgjegjësi.

Nuk mund të besohet sepse institucionet disa herë e kanë tradhtuar besimin se do të ketë besim të drejtë. Presioni nga opinioni është pozitiv dhe do ta bëjë pushtetin të veprojë. Nëse nuk do të ishte presioni i opinionit, as këto dorëheqje nuk do të ishin sepse ministri i Shëndetësisë në press konferencën e parë tha se nuk sheh arsye të japë dorëheqje- pohoi Antonio Milloshoski, VMRO.

Neve na intereson tani a do të ketë qasje të drejtë por sigurisht kemi shumë pikëpyetje të gjithë qytetarët e Maqedonisë sepse sa e sa procese pa e pasur shumë vëmendjen e duhur. Kemi të drejtë të besojmë që edhe ky do të jetë njëri prej atyre proceseve dhe që është shumë tragjike. Unë, personalisht si qytetare dua që të jetë hetimi siç duhet por e di se do të lërë për të dëshiruar, siç kanë lënë për të dëshiruar shumë gjëra- tha Vjollcë Berisha, Aleanca për Shqiptarët.

Nuhiu vlerëson se funksionarët që kanë deponuar dorëheqjen nuk d.m.th. se kanë faj dhe se dorëheqjet jepet dhe konstatohen në koordinim me të parin e Qeverisë. Për opozitën, dorëheqjet janë PR, meqë nuk u deponuan në momentin e parë pas tragjedisë.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button