Gazetar: Mihajllo Donev
Prokuroria ka filluar hetim për zjarrin në fabrikën “Makprogres Vinçini” në Vinicë, i cili shpërtheu më 6 shtator. Prokuroria njoftoi gjithashtu se hetimi do të vazhdojë në ditët në vijim pasi në disa pjesë të fabrikës zjarri ende nuk është shuar plotësisht.
“Hetimi do të vazhdojë në ditët në vijim, sepse në disa nga depot e lëndëve të para dhe produkteve të gatshme ende ka zjarr. Automjetet e zjarrfikësve janë vendosur për të mbrojtur stacionin e gazit, i cili nuk u prek nga zjarri. Për ditën e nesërme, për inspektim në vendngjarje është thirrur person i kualifikuar – inxhinier elektrik”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Shkaqet e zjarrit mbeten të panjohura për momentin. Në deklaratën zyrtare të kompanisë thuhet se zjarri ka shkrumbuar plotësisht një objekt prodhimi me tre linja moderne të sofistikuara automatike për prodhimin e napolitaneve, petullave dhe kekëve si dhe dy depo, një për lëndë të para dhe një për produkte të gatshme.
Në deklaratën e kompanisë gjithashtu thuhet se fabrika do të rinovohet në periudhën e ardhshme dhe se gjëja më e rëndësishme është që nuk ka viktima. 18 persona janë lënduar.. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një zjarrfikës është shtruar në spitalin klinik në Shtip, katër zjarrfikës në spitalin e përgjithshëm në Koçan dhe tetë punonjës të fabrikës në Klinikën e toksikologjisë në Shkup. Të gjithë të shtruarit në spital janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. “Makprogres Vinçini” është fabrikë me gjithsej 500 punonjës dhe është objekti më i madh komercial në Vinicë. Kompania është themeluar para 35 viteve./Alsat.mk








