Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë ndaj Zhan Mitrev për “mashtrim”

Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë ndaj Zhan Mitrev për “mashtrim”

Gazetar: Ardit Ramadani

Kardiokirurgu Zhan Mitrev do të ndiqet penalisht nën dyshime për mashtrim të më shumë se 250 pacientëve përmes përdorimit të metodës së hemofiltrimit për shërim nga Kovid-19. Mitrev dyshohet të kishte gënjyer pacientët se bëhet fjalë për një metodë mjekësore të miratuar si dhe efektive për trajtimin e virusit korona, ndërsa këtë metodë spitali i ka përdorur pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

Ai para gjykatës do të duhet të dëshmojë se nuk ka mashtruar pacientët, në të kundërtën, do të dënohet me burg prej 1 deri në 10 vjet. Përkundër reagimeve publike të familjarëve të viktimave, në aktakuzë nuk thuhet se pacientët kanë vdekur nga hemofiltrimi, ai gjithashtu nuk do të ndiqet as për neglizhencë gjatë trajtimit mjekësor, por vetëm për atë që pacientët dhe familjarët nuk janë informuar tërësisht për këtë metodë dhe kështu janë mashtruar.

Nga një numër i madh i pacientëve të trajtuar në Klinikën Private Zhan Mitrev, ftesës së prokurorisë i janë përgjigjur pozitivisht 283 pacientë dhe janë shprehur se ndjehen të mashtruar. Pasi Mitrev do të përballet edhe me një aktakuzë kundër spitalit të tij privat, ai do të duhet secilit prej këtyre pacientëve të ju kthejë çdo denarë të shpenzuar për hemofiltrimin, apo gjithsej 1,5 milion euro.

“Prokurori publik në rrjedhën e procedurës së formuar fillimisht pas përhapjes së zërave, ka ofruar prova për të mbështetur dyshimet e bazuara se i pandehuri, në periudhën nga qershori 2020 deri në qershor 2022, me qëllim të përfitimit një shume të konsiderueshme pasurore të kundërligjshme për personi juridik – institucion shëndetësor privat, me fshehje faktesh ka mashtruar pacientët e trajtuar në spital për Covid-19, të cilët i janë nënshtruar hemofiltrimit dhe familjarët e tyre, duke bërë që secili prej tyre të dëmtojë pronën e tyre në shuma të ndryshme, në shumën totale prej 97 461 600 denarë”, thonë nga Prokuroria Themelore, Shkup.
I menjëhershëm ishte reagimi i kardiokirurgut Zhan Mitrev sot, aktakuzën e cilëson si tallje.

“Shihemi në gjykatë është përgjigja jonë ndaj vendimit të sotëm të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen penale të Dr. Zhan Mitrev për mashtrim. Kjo tallje e sulmeve të pabaza do të duhet të provohet në gjykatë dhe do të jetë e vështirë të provohet sepse e vërteta është se asnjë pacient nuk është mashtruar dhe të gjitha trajtimet dhe proceset në spital kanë qenë publike dhe transparente dhe në interes të pacientëve. Me këtë, vetë akuza e PTHP-së do të bjerë në gjykatë”, njoftojnë nga Zhan Mitrev.

Ndryshe, ky skandal u zbulua në korrik të vitit të kaluar përmes një hulumtimi gazetaresk të IRL-së ku u zbulua se ky spital privat kishte pranuar dhjetëra mijëra euro nga secili pacient për zbatimin e metodës së hemofiltrimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button