Prokuroria: Ndërrimi i prokurorit nuk e rikthen nga fillimi gjykimin për tragjedinë e Koçanit, familjarët kërkojnë drejtësi
Prokuroria Publike këmbëngul se ndërrimi i prokurorit nuk do ta kthejë gjykimin për tragjedinë e Koçanit nga fillimi. Pas reagimit të prindërve të viktimave, të cilët kërkuan rikthimin e prokurores për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit Ivana Aleksova Trajçeva në rastet që kanë të bëjnë me zyrtarët policorë lidhur me tragjedinë në Koçan, nga Prokuroria thonë se janë ndërmarrë të gjitha hapat për të mundësuar zhvillimin efikas dhe të pandërprerë të të gjitha proceseve dhe asnjë rast që tashmë ka filluar nuk do të pësojë vonesa.
Pas pauzës për shkak të përvjetorit të tragjedisë, prindërit e viktimave një ditë më parë dolën sërish në rrugët e Koçanit. Në marshin protestues familjarët kërkuan drejtësi. Në zjarrin që përfshiu diskotekën Puls në Koçan në 16 mars të vitit të kaluar humbën jetën 63 persona, ndërsa 200 të tjerë u lënduan.








