Propozohet orë policore, ndërsa regjistrimi i popullsisë do të vijojë normalisht

Edhe pse ditë më parë, drejtori i entit të Statistikave, Apostoll Simovski, deklaroi se nëse Komisioni për sëmundje infektive vlerëson që regjistrimi i popullsisë mund të përkeqësojë gjendjen me koronavirusin, operacioni statistikor mund të shtyhet, zv/ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani thonë se për momentin nuk ka nevojë për një vendim të tillë.

 “Unë mendoj se në këtë fazë që jemi nuk ka ndonjë sinjal që mund i gjithë ky përkeqësim i situatës epidemiologjike në shtetin tonë të ndikojë në regjistrimin e popullatës. Dhe uroj që edhe ne të jemi të ndërgjegjshëm, të gjithë qytetarët e Maqedonisë që sa më shumë të kontribuojnë në zvogëlimin e kontakteve që është e vetmja mënyrë për të parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve- deklaroi Ilir Hasani, zv/ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, vetë regjistrimi online i diasporës vazhdon të ketë pengesa. Gjatë fundjavës mërgimtarët janë ankuar se kanë pasur probleme me pranimin e kodit për regjistrim, por edhe me hyrjen në aplikacion. Zv/drejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami thotë se problemet janë shfaqur për shkak se në fundjavë qytetarët e diasporës kanë qenë të lirë dhe ka pasur numër më të madh që kanë tentuar të regjistrohen në të njëjtën kohë. Ai thotë se gjatë dy ditëve të kaluara kanë punuar në përforcimin e aplikacionit, por edhe në gjetjen e zgjidhjes për përkthimin e pyetjeve që kanë mbetur me shkrim cirilik.

 “Shpresoj se ditëve në vijim edhe problemi me përkrahjen cirilike ku ishte përkthimi gabimisht edhe puna e stërngarkesës do të tejkalohet. E gjithë kjo me qëllim që vetë regjistrimi të vejë mbarë dhe të humbin sa më pak kohë gjatë regjistrimit anëtarët e diasporës sonë- pohoi Ilmi Selami, Enti i Statistikave.

Nga Enti për Statistika njoftojnë se deri më tani përmes aplikacionit online, janë vetë regjistruar mbi 40 mijë persona nga diaspora. Regjistrimi në diasporë filloi më 1 mars e do të përfundojë më 21 prill, kur përfundon i gjithë procesi i regjistrimit.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button