Protesta për provimin e Jurisprudencës kalon kufijtë, studentët mblidhen në Tiranë
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Dhjetëra studentë nga vendi u nisën drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës së organizuar nga studentët shqiptarë, e cila do të mbahet para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimi do të nisë në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, prej nga më pas protestuesit do të marshojnë drejt ambasadës. Kjo protestë organizohet në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës, si dhe provimet e tjera, të mbahen në gjuhën shqipe.
Sipas organizatorëve, protesta nuk ka prapavijë politike, por synon të shprehë solidaritet me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe të mbrojë të drejtat për përdorimin e gjuhës shqipe në institucione. Ata kanë theksuar gjithashtu se pjesëmarrja në këtë protestë përfaqëson një mesazh uniteti dhe mbështetjeje kombëtare, duke nënvizuar se interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo dallim tjetër.
Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti porositi studentët se nuk kanë nevojë të protestojnë, por të festojnë, pasi siç tha është gjetur zgjidhja për provimin e jurisprudencës.
“Unë mendoj që nuk ka nevojë për protestë, ne i mbështesim studentët dhe për këtë jemi ulur kemi gjet zgjidhje, por jo vetëm për jurisprudencën por në përgjithësi për provimet profesionale që nuk janë zgjidhur 30-25 vite. Kemi bërë zgjidhje të cilën e kemi promovuar bashkë me partnerët e qeverisë, këtë e ka thënë edhe kryeministri. Studentët i përgëzoj për organizimin, për protestën, për mendimin ndryshe për që i kanë nxitur këto protesta, po ashtu dua të potencoj se studentët nuk kanë nevojë të protestojnë kanë nevojë të festojnë”, deklaroi Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.
Protesta e organizuar në Tiranë, vjen pas dy protestave të mbajtura në Shkup, si pasojë e refuzimit të kërkesave të studentëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. /Alsat.mk








