Protestat nuk imponojnë vendime të Ramës

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Protestat nuk imponojnë vendime të Ramës. Kështu kryeministri shqiptar u përgjigj në pyetjet e medias britanike Monocle, i pyetur për një marrëveshje të mundshme me protestuesit. Rama thotë se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por se për këtë projekt nuk lëshon pe.

Pse duhet të arrij një marrëveshje? Ata kanë të drejtë të protestojnë. Është një arritje e madhe për këtë vend të ketë protesta paqësore. Por ne jemi zgjedhur me një fitore të madhe dhe kemi një vizion të qartë. Ne kemi një kontratë me shumicën e shqiptarëve. Disa mijëra njerëz që këmbëngulin se ne duhet të largohemi janë të mirë për shëndetin demokratik të vendit, por ata nuk janë në gjendje të imponojnë asgjë”, deklaroi Edi Rama.

Partia e Demokratëve Evropianë i bën thirrje kryeministrit shqiptar Edi Rama të dëgjojë popullin. Reagimi i tyre lidhet me protestat dhe me akuzat e Ramës për ndërhyrje të huaj dhe dezinformim të masës që proteston. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Demokratët Evropianë theksuan se dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja janë kërcënime reale, por sipas tyre ato nuk duhet të përdoren si arsye për të minimizuar një lëvizje qytetare.

“Kryeministri Edi Rama thotë se “Revolucioni Flamingo” është një shembull i dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj, duke paralajmëruar se aktorët armiqësorë shfrytëzojnë protestat, përmbajtjen virale dhe zemërimin publik për të destabilizuar Shqipërinë ndërsa ajo i afrohet BE-së. Dezinformimi dhe ndërhyrja e huaj janë kërcënime serioze, Kryeministër Rama. Dëgjoni popullin tuaj”, thanë nga Partia e Demokratëve Evropianë.

Ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim , duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje. Protesta në Tiranë sot është në ditën e 61./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button