Provimi i jurisprudencës, çka parasheh pjesa teorike e çka ajo praktike?
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ende nuk është arritur marrëveshje politike lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ndonëse komisioni i përbërë prej ekspertëve e ka gati versionin, nuk është dorëzuar akoma në Qeveri. Avancim konkret i kësaj çështjeje pritet të ketë javën që vjen.
“Po ta shohim propozimin fillimisht. Unë ende nuk e kam parë. Mendoj se javën e ardhshme të hënën është dakorduar takim tek unë në kabinet që të dorëzohet propozimi”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër
Zv.kryeministri i parë Bekim Sali për Alsat sqaron se komisioni pasi përmbylli punën për provimin e jurisprudencës, do të vazhdojë të trajtojë edhe provimet, licencat e certifikatat e tjera të cilat që nga miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, ende nuk janë në shqip.
“Tani komisioni dhe ne kemi punuar mbi ligjin për jurisprudencën, për provimin e jurisprudencës. Faza e ardhshme janë gjitha të tjerat të cilat nënkupton certifikata nga Odat, nga Ministritë e kështu me radhë dhe provimet të cilat jepen lidhur me kontabilitetin, përmbaruesit e të tjera. Pra të gjitha provimet që do të jepen në nivel shtetëror do të jepen në gjuhën shqipe”, deklaroi zv.kryeministri Bekim Sali.
Siç mëson Alsat, bëhet fjalë për mbi 60 provime, certifikata e licenca nga lëmi të ndryshme sikurse arkitektura, farmacia, komunikacioni, kontabiliteti e të tjera. Sa i përket provimit të jurisprudencës, kandidati që do të aplikojë për provim, duhet të ketë mbaruar studimet e magjistraturës, përkatësisht të ketë 300 kredi. Para se të hyjë në provim, fillimisht duhet të ketë përfunduar një vit praktikë në punë juridike sikurse avokati, prokurori, gjyqësor, përmbarues e ngjashëm. Gjithashtu duhet të ketë përfunduar edhe dy vjet praktikë në punë jo juridike sikurse institucione të qeverisjes lokale, kompani, shoqëri tregtare, ndërmarrje e të tjera. Pjesa teorike përfshinë shtatë provime të cilat të gjitha do të jenë në gjuhën shqipe. Të gjitha jepen gojarisht dhe secila paraqitet veç e veç, proces ky që zgjatë rreth një vit. Pjesa praktike që do të jetë vetëm në maqedonisht përfshinë dy lëndë, të drejtën penale dhe të drejtën civile. Në këto dy lëndë do të matet njohuria e kandidatit për përpilimin e një aktgjykimi penal. Zgjidhja aktuale e provimit të jurisprudencës daton që nga viti 1968 dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë./Alsat.mk,








