Punonjësit e disa institucioneve përfshi dhe ata të Kopshtit Zoologjik kanë mbetur pa paga
Punonjësit e disa institucioneve përfshi dhe ata të Kopshtit Zoologjik kanë mbetur pa paga

Gazetare: Linda Ebibi
Punonjës të disa institucioneve kanë mbetur ende pa paga. Ndër ta janë edhe rreth 50 të punësuar në Kopshtin Zoologjik. Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Kopshtin Zoologjik tha se që nga muaji mars janë pa paga ndërsa nga dita e djeshme kanë mbetur edhe pa sigurim shëndetësor.
“Këtë protestë nuk e bëjmë kundër askujt, nuk është kundër kulturës as kundër qytetit të Shkupit siç kishte spekulime në disa mediume, kjo protestë është që të na shohin se ne nuk kemi marra paga që nga muaji marsi, pagën e fundit e kemi marrë para 45 ditëve. Neve na duhen paratë pasi që nga dje kemi humbur edhe sigurimin shëndetësor për shkak të mos marrjes së pagave në kohë”, tha Mile Tanevski, kryetar i sindikatës së Kopshtit Zoologjik.
Në mbështetje të tyre doli edhe kryetari i SASHK-ut Jakim Nedellkov i cili tha se përveç të punësuarve në Kopshtin Zoologjik pa paga janë edhe të punësuarit në Qytetin e Shkupit.
“Ata janë të ekspozuar ndaj lëndimeve çdo ditë, dhe të mbeten pa sigurim shëndetësor është çnjerëzore…Fatkeqësisht, mora informacion se drejtori nuk është në punë, dhe mendova se do të takoheshim…Drejtori është përgjegjës për pagesën e pagave, dhe se kush është përgjegjës në aspektin hierarkik, neve nuk na intereson. Vërejtjet do t’ia drejtojmë drejtorit. Sipas informacioneve që kam, askush në Qytetin e Shkupit nuk ka marrë pagë”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK.
Një ditë më parë në një reagim përmes faqes zyrtare, drejtori i Kopshtit Zoologjik, Zoran Popov fajin për mosmarrjen e pagave ia faturoi Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, ata kanë marrë udhëzime nga ministria për një llogaritje të paligjshme të pagës së marsit, në kundërshtim me marrëveshjen kolektive. Ndërsa nga Ministria e Kulturës thonë se në mëngjes kanë marrë dokumentacionin për pagat e punonjësve për të punësuarit në institucionet lokale që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit dhe janë duke u përpunuar që më pas t’i dorëzohen Ministrisë së Financave. /Alsat.mk