Punonjësit e NQP-së ankohen për vonesë të pagave
Punonjësit e NQP-së ankohen për vonesë të pagave
Gazetar: Avni Tahiri
Rreth 1200 të punësuar të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik ende nuk kanë marrë pagën e gushtit. Nga Sindikata paralajmërojnë proteste nëse çështja e pagave nuk zgjidhet. Kryetari i Sindikatës, Goce Dellçev thotë se nuk kanë përgjigje nga NQP-ja se cila është arsyeja e vonesave të pagës së të punësuarve tash e disa muaj më radhë.
“Sot jemi të detyruar që para hyrjes së NQP-së që të përcjellim se çfarë duhet të presin qytetarët në periudhën e ardhshme, sepse shoferet e NQP-së edhe pse sot është i gjashtëmbëdhjeti ende nuk kanë marrë paga. Nuk kemi përgjigje se cila është arsyeja dhe perse nuk kanë rrogë edhe pse me ligj është e rregulluar që duhet të paguhet deri me të pesëmbëdhjetin në muajin e radhës ende nuk ka pagesë për të punësuarit në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik Shkup, dhe e dimë që më shumë se 1000 të punësuar të cilët vozisin milion qytetarë, që nga nxënësit e deri tek drejtorët, mjekët, profesorët etj”, tha Goce Dellçev – kryetar i Sindikatës.
Roni Qerimi, mbi 10 vite i punësuar si shofer në transportin publik të kryeqytetit thotë se vonesa me pagat e punonjësve të NQP-së ka pasur vazhdimisht.
“Arsyeja është sepse që dy vite e më tepër ne kemi probleme me pagat të cilat nuk i marrim me kohë dhe gjithmonë me vonesa. Çdo nja apo dy muaj ndodhë që të vonohet dhe nuk i marrim pagat siç duhet. Kërkesa jonë është që definitivisht të na tregojnë deri kur do ta marrim pagën sepse edhe ne kemi pagesa neper banka apo kredia dhe jemi detyruar të bëjmë një gjë të tillë”, u shpreh Roni Qerimi – i punësuar në NQP.
Nëse nuk zgjidhet çështja e vonesës së pagave sindikata paralajmëron protestë ku të punësuarit e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik do të detyrohen që të drejtën e tyre ta kërkojnë në rrugë. /Alsat.mk