Pushteti dhe opozita u përplasën ashpër rreth kontestit me Bullgarinë

Kontesti me Bullgarinë ka përplasur dy partitë më të mëdha maqedonase. LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja e akuzojnë njëra tjetrën për shpërndarje të lajmeve të rreme. Partia në pushtet pretendon se nuk negocion për identitetin maqedonas dhe e paralajmëron VMRO DPMNE-në se me sjelljet anti-shtetërore dhe anti-popullore do të mbeten në opozitë edhe për një kohë të gjatë.

Realiteti është krejtësisht i kundërt nga gënjeshtrat e Mickoskit dhe udhëheqësisë së VMRO DPMNE-së. Realiteti është se për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase nuk negociohet, as që është negociuar ndonjëherë e as që do të negociohet. Gënjeshtrat e Mickoskit dhe disa të tjerëve rreth tij, nuk kalojnë, gënjeshtrat janë ekspozuar dhe gjashtë herë janë dënuar nga qytetarët – thonë nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja akuzon LSDM-në dhe kreun e saj, Zaev se ka frikë ta thotë të vërtetën rreth bisedimeve.

Nëse nuk ka aneks për marrëveshjen, pse LSDM-ja nuk dërgoi demant deri tek Karakaçanov i cili thotë se ka aneks. LSDM-ja dhe Zaev çmendurisht mundohen ta fshehin aneksin e dorëzuar nga Bullgaria. Aneks me 12 pika i është dorëzuar Qeverisë jopopullore, së cilës i kërkohet revidim i historisë, ndryshim i sistemit arsimor dhe çështjet e identitetit. Këtë aneks Qeveria e Zaevit tashmë e negocion, çka tregon se Zaev dhe LSDM-ja tashmë bëjnë tregti me historinë dhe identitetin – theksojnë nga VMRO DPMNE.

Zv/kryeministri bullgar, Karakaçanov ka thënë se Shkupi mund t’i fillojë negociatat me BE-në nëse e pranon aneksin 12 pikësh, që përmban kërkesën për heqje dorë nga pretendimet historike, heqjen dorë nga pretendimet për pakicë si dhe ndryshim të sistemit arsimor. Por ministri, Osmani ka mohuar se ekziston një aneks i tillë. Ndërkohë Shkupi e Sofja kanë shkëmbyer propozim plane aksionare, si përgatitje për mbajtjen e takimit të radhës të Komisionit ndër-qeveritar, data e të cilit megjithatë ende nuk është caktuar.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button