Pushteti dhe opozita vijojnë përplasjet për pagat e punonjësve të Kulturës

Pushteti dhe opozita vijojnë përplasjet për pagat e punonjësve të Kulturës

Gazetare: Ajnur Bafqari

LSDM vazhdon reagimet për vonesat e pagave për punonjësit e kulturës. Nga atje nënvizojnë se nuk vlen kërkim falja e ministrit Lutkov, pasi sipas tyre, Qeveria me qëllim po i nënçmon punonjësit e kulturës. Në vend të pagave me rritje konform marrëveshjes kolektive, të punësuarit festat i kanë pritur pa paga, nënvizojnë nga LSDM, duke e cilësuar këtë si një sulm të turpshëm ndaj këtyre punëtorëve.

“LSDM pyet, përse nuk respektohet marrëveshja kolektive? Përse punonjësit e kulturës fyhen nga ana e institucionit që duhej t’i mbrojë? Nëse Ljutkov nuk është i aftë që t’i përmbush detyrimet, le të jep dorëheqje. Sjelljet e tilla tregojnë mosinteresim të Qeverisë për ata që e mbajnë kulturën në shpinë”, thonë nga LSDM.

Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE duke theksuar se LSDM nuk duhet të pretendojë se është e shqetësuar për kulturën, pasi sipas tyre, pikërisht kjo parti e ka kthyer kulturën në një thesar partiak dhe platformë krimi.

“Opinioni mirë e mban mend se kush e ka shkelur kulturën, kush e ka shndërruar në rrjet të punësimeve partiake, dhe kush e ka shfrytëzuar Ministrinë e Kulturës si mjet për shpërblim të personave të afërt dhe ‘artistët’ e favorizuar. Në kohën e LSD-së, prej kulturës janë ndarë grante pa kritere të qarta, ndërsa një pjesë e tyre, kanë përfunduar te persona të afërt me partinë, madje edhe për projekte që nuk janë realizuar kurrë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga Sindikata e Kulturës ditë më parë thanë se ky problem paraqitet çdo vit në muajin prill, për shkak të problemeve me harmonizimin e rritjes së pagave. Nga atje shprehën zhgënjimin ndaj ministrit të Kulturës dhe paralajmëruan protesta për ditën e martë. Nga Ministria e Kulturës thanë se të punësuarit do t’i marrin pagat e tyre bashkë me rritjet në dy ditët e para të javës së ardhshme, duke nënvizuar se arsyeja e vonesës është për shkak të harmonizimit të pagave me Ministrinë e Financave./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button