Pushteti thotë se shporta e festave të fundit po jep rezultate, pasi janë ulur çmimet e shumë produkteve
Pushteti thotë se shporta e festave të fundit po jep rezultate, pasi janë ulur çmimet e shumë produkteve
Gazetar: Melihate Rustemi
Ndërsa qytetarët vazhdimisht ankohen për rritje çmimesh të produkteve ushqimore, ministri I Ekonomisë, Besar Durmishi për radion Evropa e Lirë thotë të kundërtën. Sipas tij masa shporta e Vitit të Ri ka ulur çmimet e shumë produkteve ndërsa qytetarët janë të kënaqur.
“Nga analizat që bëjmë në ditët e para, Inspektorati Shtetëror i Tregut është çdo ditë në terren, shohim nëse e respektojnë masën e tyre, të cilën e kanë ofruar vetë prodhuesit, distributorët dhe tregtarët. Është parë se është e respektuar dhe e zbatueshme, këto ditët e para shohim që qytetarët janë të kënaqur me këtë masë e cila ishte iniciativë e tregtarëve”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.
Nga ana tjetër, LSDM akuzon se shporta e është mashtrim i kryeministrit Hristijan Mickoski. Sipas opozitës maqedonase para hyrjes në fuqi të masës tregtarët i kanë rritur çmimet.
“Çmimi i vajit për gatim tani është 97 denarë, ndërsa më 1 tetor është shitur për 83 denarë. Pra kemi rritje dhe jo ulje. Vezët që shiteshin nga 75 deri në 85 denarë tani janë mbi 100 denarë. Nga 107 deri në 140 denarë. Gjithashtu, rritja e çmimeve; Tek djathi i përzier nuk ka ndryshime dhe çmimet janë rreth 450 denarë, të pandryshuara. Kaçkavalli është më i shtrenjtë dhe tani është mbi 600 denarë për kilogram. Jogurti me përmbajtje yndyre prej 3,2% në disa markete ka arritur mbi 72 denarë. Ulja e djathit të lopës është minimale, vetëm 5 denarë dhe tani është 398 denarë për kilogram”, tha Lolita Ristova, LSDM.
Ristova kujtoi se LSDM-ja tashmë kishte ofruar një propozim konkret, heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Me këtë masë çmimet do të ulen realisht pa lënë hapësirë për manipulime nga tregtarët. Ndërkohë, Qeveria ka llogaritur se shporta konsumatore e shtatorit ka sjellë kursime prej 1300 denarë për familje./Alsat.mk