Pyetjet e deputetëve “rast për përplasje mes opozitës dhe pushtetit”
Pyetjet e deputetëve "rast për përplasje mes opozitës dhe pushtetit"

Gazetar: Zekirja Haxhiu
Në seancën për pyetje deputetësh, deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari theksoi se mungesa e vullnetit për veting tregon se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, mbetet vetëm një slogan politik. Mosgatishmëria për të zbatuar vetingun sipas Ajdarit është tregues se te partitë ekziston frikë nga transparenca dhe llogaridhënia.
“A mund të na shpjegoni pse deri më sot nuk ka ndonjë iniciativë të përbashkët për një proces gjithëpërfshirës të vetingut për të gjithë politikanët e 30 viteve të fundit. Pse ministria e Drejtësisë nuk ka ndërmarrë hapa konkret për të mbështetur një proces të tillë të domosdoshëm, veçanërisht kur BDI ka propozuar një veting të monitoruar ndërkombëtarisht i cili do të garantonte një transparencë të plotë dhe një shqyrtim objektiv të të gjithë zyrtarëve të lartë”, tha Rina Ajdari – Fronti Evropian.
Për këtë u përgjigj zv.ministri i drejtësisë, Alen Dereban. Sipas tij, është hipokrizi kur BDI kërkon dhe flet për drejtësi. Siç tha ai, prokuroria dhe gjyqësori veçanërisht në shtatë vitet e fundit, ka qenë nën ndikim të BDI-së. Ministria e Drejtësisë është në përgatitje e sipër të një ligji të ri për parandalim të korrupsionit, dhe kodi të ri penal, tha Dereban.
“Konsideroj se nuk bëhet fjalë për ndonjë projekt serioz por vetëm për hipokrizi dhe politikë. Partia politike BDI është shembull i krimit dhe korrupsionit. Krimi dhe korrupsioni emërtohet me ta. Ne kemi një ish zv.kryeministër nga partia e tyre i cili është në arrati dhe prita që nga kjo foltore do t’i bëni thirrje që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë në RM”, deklaroi Alen Dereban – Zv.ministër i Drejtësisë.
Në fillim të seancës, deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska pyeti ministrin e jashtëm Timço Micunski, nëse e shfrytëzon si këshilltar në ministri, babanë e tij, Zvonko Mucunski. Ndaj kësaj, ministri Mucunski u përgjigj se babai i tij është diplomat që nga viti 1998 ndërsa statusin e diplomatit e ka marrë në vitin 2016, nga ministri i atëhershëm Nikolla Poposki. Nëse ka përplasje interesash, atëherë për këtë duhet të pyeten ish ministrat Poposki dhe Sërgjan Kerim. /alsat.mk