Qeveria i trembet defekteve në TEC Manastir dhe Osllomej

Qeveria i trembet defekteve në TEC Manastir dhe Osllomej

Gazetar: Ile Petrevski

Pas mbledhjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare shpalli masat kundër krizës, të cilat ishin paralajmëruar disa herë nga Qeveria, shkruan Alsat.

Në periudhën në vijim shteti duhet të blejë thëngjill shtesë, mazut dhe naftë. Të gjitha kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike do të vihen në punë. Kreu i shtetit Stevo Pendarovski, paralajmëron se dimri do të jetë i vështirë.

“E kam mbledhur Këshillin e Sigurisë sepse mendova se ishte e rëndësishme t’i dëgjojmë të gjithë kompetentët për temën që është më e rëndësishmja për të gjithë ne. Nuk është sekret që, ashtu si Evropa, edhe neve na pret një dimër i vështirë”, tha Stevo Pendarovski – president.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se masat e deritanishme të qeverisë për përballimin e krizës energjetike kanë rezultuar me zbutjen e goditjeve të çmimeve për qytetarët. Kryeministri pretendon se ka plan të termocentraleve shtetërore që parashikon rritje të prodhimit të energjisë elektrike për 25 për qind. Megjithatë, ka frikë nga defekte të mundshme.

“Ka rreziqe. Ndërprerje të paparashikuara të termo-blloqeve në Manastir dhe Osllomej për shkak të vjetërsimit të pajisjeve, e cila është më e vjetër se 40 apo 50 vjet”, u shpreh Dimitar Kovaçevski- kryeministër.

Kryeministri Kovaçevski dhe kolegu i tij bullgar Gallab Donev dje janë pajtuar që vendi të blejë energji elektrike nga Bullgaria, përkatësisht 200 megavat për nevojat e kompanive të mëdha që dalin në tregun e lirë.

Që nga 1 shtatori, gjendja e krizës në sektorin e energjisë tashmë ka hyrë në fuqi kurse në institucionet publike janë futur masat e kursimit.

Mirëpo, në ditët e para masat nuk janë respektuar në disa ministri dhe në godinën e Qeverisë, pavarësisht se janë paralajmëruar sanksione për krerët nëse nuk ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për 15 % në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button