Qeveria premtoi 16 spitale mobile, kompletoi vetëm një


Qeveria u zotua për ngritjen e 16 spitaleve mobile, por deri më tani u ndërtua vetëm njëri. Ndonëse, vjeshta po ofron dhe sistemi shëndetësor i druhet një vale të re të të infektuarve, kapacitetet spitalore mbeten të njëjta. Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë për të ndërtuar spitale mobile deri në fund të gushtit nëpër të gjitha qytetet e vendit, mbetet ende në letër. Ministri Venko Filipçe tha se brenda javës presin dritë jeshile nga Banka Botërore, në kompletimin e dokumenteve.

Procedurën e udhëheqë njësia projektuese e Bankës Botërore, e cila është në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për shkak se Ministria e Shëndetësisë atë e përgatitë dhe do të jetë pjesë përbërëse, besoj në vitin e ardhshëm kur të zbatohet reforma në sistemin shëndetësor. Me ndihmë të Bankës Botërore, gjë të cilën e kemi planifikuar më parë, tani në këtë moment duhet që dokumentet të kompletohen të miratohen nga Qendra e Bankës Botërore, gjë e cila besoj se do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, pas çka puna do të fillojë – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Sistemi shëndetësor i shtetit po përgatitet për valën e re të pandemisë, që pritet të arrijë në vjeshtë. Në shtimin e kapaciteteve spitalore, aktualisht gati është vetëm objekti modular te Klinika e Pulmologjisë. Vetëm ky projekt kushton 122 mijë euro. Për shërbime ambulantore është vënë në funksion një barakë e vetme te Klinika e Pediatrisë.

Këtu i pranojmë për kontrolle të gjithë fëmijët që nuk kanë paracaktuar termin me idenë që ti izolojmë, sepse ata mund të kenë ndonjë simptome tipike të koronavirusit. Ky objekt montues e vëmë me qëllim që ti distancojmë fëmijët që përbëjnë rrezik nga ky infeksion nga fëmijët tjerë që vijnë këtu – tha Natasha Najdanovska, Drejtoreshë e Klinikës së Pediatrisë.

Sipas autoriteteve, kapacitetet spitalore aktualisht janë të qëndrueshme për menaxhimin e pandemisë. Në Klinikën infektive vetëm mbrëmë u pranuan 9 pacientë të prekur nga CoVid-19, ndërsa të hospitalizuar janë 79, prej të cilëve 44 në oksigjeno terapi. Në Spitalin “8 Shtatori” janë pranuar 5 pacientë të ri, ndërkaq të shtruar janë 22, prej të cilëve 2 në ventilim mekanik. Në Spitalin Kozle janë të shtruar 23 të rritur dhe fëmijë. Me kapacitete gjysmë të mbushura janë edhe spitalet në qytetet tjera.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button