Sindikata e “Postës së Maqedonisë” paralajmëron se kompania po përballet me humbje serioze pas rënies së bankës “Eurostandard”


Më shumë se 20 ditë, kompania shtetërore “Posta e Maqedonisë” ka funksionuar me humbje serioze pas dështimit të bankës “Eurostandard” sepse qarkullimi pagesor bëhej përmes kësaj banke. Prej atëherë, 330 njësi të postës apo sportele nuk punojnë kurse është ndërprerë edhe qarkullimi ndërkombëtar. Për shkak të kësaj situate, më shumë se 2300 punonjës në këtë kompani me kapital shtetëror, kanë frikë për vendet e tyre të punës dhe kërkojnë ndihmë financiare nga Qeveria.

“Në emër të punonjësve, sindikata e “Postës së Maqedonisë”, duke pasur parasysh seriozitetin e situatës që lehtë mund të shndërrohet në krizë financiare me efekte dhe pasoja të pafavorshme në punë, kërkon takim urgjent me kryeministrin jo më vonë se javën e ardhshme në mënyrë që të gjendet vendim urgjent për tejkalimin e situatës që sërish të mundësohen operacionet e pagesave- deklaroi SINKRON – Boro Veriganov- kryetar i Sindikatës së “Postës së Maqedonisë”.

Nga Qeveria njoftojnë se çështja e zgjedhjes së një banke të re që do të punojë me Postën e Maqedonisë pritet të kalojë në seancën e Qeverisë duke mundësuar funksionimin dhe qarkullimin pagesor nëpër posta. Gjatë dy javëve të fundit, përfaqësuesit qeveritar kanë dhënë deklarata të ndryshme se kur mund të pritet funksionimi normal i punës. Oliver Spasovski si kryeministër teknik tha se Posta e Maqedonisë nuk duhet të presë vendim të qeverisë, por të zgjedhë bankën me të cilën do të punojnë, por dy ditë më vonë Kryeministri Zoran Zaev tha se Qeveria do të marrë vendim për fillimin e zgjedhjeve të një banke të re tregtare. Përndryshe, për shkak se Posta e Maqedonisë nuk ka lidhur kontratë me asnjë bankë, nuk mund të bëjë pagesën e faturave të energjisë elektrike dhe faturave të shërbimeve të tjera. Por më shqetësues ishte fakti që ndaloi gjithashtu lëshimin e pensioneve dhe ndihmës sociale për pranuesit që e merrnin atë në adresën shtëpiake përmes postierit.

Ile Petreski

LEXO EDHE:

Back to top button