Qeveria teknike, LSDM-ja mbetet e vendosur të bojkotoi bisedimet për Kodin zgjedhor
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja nuk ka ndryshuar mendje për largim nga grupi i punës për Kodin zgjedhor në rast se pushteti nuk tërheq propozim-ligjin për shfuqizimin e qeverisë teknike. Sipas kreut të opozitës, ka gjithmonë e më shumë dëshmi se pushteti keqpërdor ose politizon institucionet.
“Edhe argumentojmë se përse ajo qeveri e Përzhinës duhet të mbetet, presione ndaj gjyqësorit, ligj për policinë me të cilin do të partizohet, safe city me të cilin partizohet tërësisht policia dhe kemi dyshime se do të keqpërdoret si dhe servisi publik në të cilin drejtor bëhet miku i afërt e kryeministrit, pa background profesional. Dhe pyetja kryesore, përse insistojnë të shfuqizohet në këtë mënyrë qeveria teknike nëse është miratuar me konsensus?” tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Pushteti akuzon Filipçen duke thënë që me këto veprime, partinë e çon drejt rrënimit.
“Filipçe dhe drejtuesit e LSDM-së që vetë i ka propozuar sipas dëshirës së Zaevit, tani i bllokojnë ligjet që janë pjesë e Agjendës reformuese ose pjesë e integrimit të vendit. Këto ditë dëgjuam se si njoftojnë bllokimin e trupave punues të Kuvendit nëse nuk bëhet si dëshiron ai. Përveç bojkotit, Filipçe vendos kushte për miratimin e ligjeve dhe të ngjashme. Praktikisht Filipçe nuk i pëlqen ligji për shfuqizimin e qeverisë teknike dhe vendos kushte për ligjin me të cilin deputetët duhet të kenë vetëm shtetësi maqedonase”, tha Brane Petrushevski, nga VMRO-DPMNE.
Pushteti është duke propozuar shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Procedura e ndryshimit ligjor është akoma në fazë parlamentare.








