Qytetarët filluan t’i mbajnë maskat edhe në ambientet publike

Një ditë pas miratimit të masave të reja anti-kovid në kuvend, është shtuar fluksi i qytetarëve nëpër farmaci. Shumica blinin maska mbrojtëse pasi tashmë ato janë të detyrueshme edhe në ambiente të hapura. Gjoba për mos mbajtjen e maskës është 20 euro. Pjesë më e madhe e qytetarëve mirëpritën këtë masë.

“Sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare, qytetarët do të jenë të detyruar që maskë të mbajnë edhe në ambiente të hapura, me disa përjashtime. Ne ndodhemi para hyrjes së njërës prej farmacive në kryeqytet ku do të hyjmë të furnizohemi me maska për ditët në vazhdim, por edhe duke shpresuar se farmacistët e angazhuar në këtë farmaci do të na informojnë nëse kanë filluar qytetarët që të blejnë më shumë maska apo nëse ka ndryshim në çmimin e tyre”.

Disa nga farmacitë që vizituam na informuan se ditët e fundit sasia e maskave që blejnë qytetarët është më e lartë. Nga sa pamë në terren, për dallim nga disa ditë më parë, sot dominonin ata që mbanin maskë mbrojtëse.

“Më gjasë duhet të jetë vendim i drejtë që të mbahet maskë për të mbrojtur veten, por edhe të tjerët. Do të blejmë rregullisht”.

“ Unë nuk e heq maskën aspak, madje edhe kur shkoj të hedh mbeturinat. E mbaj maskën, sepse kujdesem për shëndetin tim. Kam maska në shtëpi”.

“ Nëse jam vetëm nuk e mbaj maskën, ose nëse ndodhem në distancë, sepse më ndalon frymën. Ndërsa kur jam e shoqëruar e vendos. Djersitem shumë dhe më pengon. Do e vendos, patjetër. Edhe po të mos dua, duhet. Sadopak mendoj se na mbron”.

“ Duhet të miratohej ky vendim që të pengohet përhapja e virusit.
– Do ta respektoni këtë masë.
– Sigurisht.
– keni blerë më shumë maska tani?
-Po?
– Ishin çmimet njësoj?
-Çmimet ishin si më parë, unë blej nga këto që mund t’i laj”.

Sanksionet ndaj të tjerëve që nuk e mbajnë maskën, sipas Ministrisë së Brendshme do të zbatohen sapo Ligji për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundje Ngjitëse të publikohet në Gazetën Zyrtare. Kishte raste kur edhe vet policët bisedonin me shumë persona pa distancë dhe pa maska. Ligji parashikon se nga zbatimi i kësaj mase përjashtohen kategoritë e mëposhtme:

“Masa nuk do të vlejë për aktivitete sportive në ambiente të hapura apo në ambiente të mbyllura, duke respektuar protokollet për mbrojtje.

Gjatë udhëtimeve me automjete private transportuese në rast se drejtuesi është i vetëm, ose nëse shoqërohet nga persona me të cilët bashkëjeton.

Gjatë qëndrimit në oborrin e shtëpisë ose në objekte gastronomike duke respektuar protokolle për mbrojtje. Masa për mbajtje të maskës nuk vlen për fëmijët nën moshën 6 vjeçare dhe për personat me aftësi të kufizuara dhe pengesa në lëvizje.”

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button