Qytetarët kërkojnë që zyrtarët që nuk paraqiten në punë të kthejnë pagat në arkën shtetërore
Gazetar: Avni Tahiri
Kur një zyrtar i qeverisë merr detyrën dhe nuk paraqitet në punë, por vazhdon të marrë pagën, ato mjete duhet t’i kthehen arkës shtetërore. Kështu e komentojnë qytetarët rastin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetahi, ku sipas deklaratës së ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, dhënë për “360 shkallë”, Fetahi, nuk paraqitet në punë dhe nuk merr pjesë në mbledhjet e Qeverisë.
Qytetarët sjellin si shembull vendet evropiane si Belgjikën dhe Zvicrën, ku edhe për disa minuta vonesë në punë, mund të reflektohen në pagën mujore.
”Pa punë nuk ka askund. A ka në ndonjë vend që nuk shkon në punë e vetëm regjistrohet. Po, ja ka disa qeveritarë! Ata po por mentaliteti ynë i Ballkanit është i tillë. Unë kam punuar në Zvicër, as gjysmë orë nuk ta llogarit nëse vonohesh. A duhet të kthejnë paratë që nuk kanë shkuar në punë? Ata nuk i kthejnë jo. Nuk i kthejnë miliardët e të kthejnë ato pak para. Nuk është problem se i marrin pagat e larta por ajo që nuk punojnë, ata e kanë për detyrë të punojnë pasi paguhen nga shteti dhe qytetarët apo populli”; tha një qytetar.
”Pagat që i kanë marrë duhet t’i kthejnë. Unë kam shkuar në punë 38 vite dhe kam punuar që të marr pagë, e kjo çfarë është tani. Rri në shtëpi e merr rrogë.” ; tha një qytetare.
”Duhet të kthehen paratë sigurisht, të kthehen në arkën shtetërore, rrinë në shtëpi flenë e nuk punojnë, sigurisht që duhet të kthehen.”; tha një qytetare.
”Duhet t’i kthejnë paratë, pa punë ku ka.”; tha një qytetar.
Për rastin e mos paraqitjes në punë të Arben Fetahit, Alsat, kërkoi sqarim nga Qeveria dhe nga atje thanë se si trup kolektiv, Qeveria funksionon pa pengesa dhe me kapacitet të plotë. Ndërsa shtuan se lidhur me pyetjet që kanë të bëjnë me angazhimin në punë të Fetahit, pyetjet t’i adresoni tek Arben Fetai. Alsat, po ashtu kërkoi sqarim nga Arben Fetai nëse janë të vërteta këto pretendime, por deri tani nuk ka ndonjë përgjigje./Alsat.mk








