Rama: Integrimi, peng i kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë
Holanda po ndërmjetëson me Bullgarinë për të hequr veton dhe për ti hapur dritën jeshile Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në integrimin drejt BE-së. Para vizitës zyrtare në Shkup, kryeministri holandez Mark Rutte në një konferencë me kryeministrin shqiptar Edi Rama tha se ka shpresa që pas zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në Bullgari, rruga do të jetë e hapur. Rut në këto momente është në takim me kryeministrin Zoran Zaev. Kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën me homologun holandez Rut u shpreh se Holanda, Franca e Gjermania mbështesin mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por shtoi se problem mbetet vetoja bullgare.
“Jam i lumtur që ishim në gjendje të hedhin hapin e parë në procesin e anëtarësimit në BE. Po, është e drejtë që për të nisur zyrtarisht konferencën e parë ndërqeveritare është thelbësore që të zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë, shpresoj që ta bëjmë këtë, do ta vizitoj Maqedoninë e Veriut. Do të jetë e drejtë, ju keni bërë aq shumë përparim në shumë çështje dhe kjo është arsyeja pse ne biem dakord tashmë që të fillojmë zyrtarisht këto negociata” , tha Mark Rute, Kryeministër i Holandës.
“E dimë shumë mirë që Franca, Gjermani, Holanda dhe gjithë janë absolutisht gati për tu ulur si BE në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të nisur formalisht procesin e gjatë të negociatave por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë. Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin e tij personal me komunikimin me palën bullgare sikundër edhe të tjerët që po bëjnë të gjitha përpjekjet që ta afrojnë pozicionin e Bullgarisë drejt zgjidhjes maksimalisht dhe mundësisht ta zgjidhin këtë çështje përpara se sa të mblidhet Këshilli Europian në dhjetor”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.








