Rama: Mbajtja e samitit në Tiranë, mesazh për shqiptarët se “BE është këtu për ju”

Rama: Mbajtja e samitit në Tiranë, mesazh për shqiptarët se “BE është këtu për ju”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel për praninë e tyre në Tiranë me rastin e mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

“Nuk më kujtohet që kemi pasur një president këshilli dhe një president komisioni që kanë qenë kaq të vendosur për të qenë avokatë të rajonit dhe për të dhënë shtysë për proceset që ne e dimë që kanë qenë mjaftë të vështira”, është shprehur Rama.

“Është hera e parë që BE del nga kufijtë e saj për të mbajtur një samit dhe kjo po ndodhë në Ballkanin Perëndimor – konkretisht në Shqipëri”.

“Këtë samit e shoh si një shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi. Mbi të gjitha BE këto ditë ka nevojë për Ballkanin Perëndimor dhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”.

Rama ka thënë se mbajtja e këtij samiti në Tiranë është mesazh për popullin shqiptar se “BE është këtu për ju”, transmeton Klan Kosova.

“Jemi kombi më pro BE, jo sepse jemi navig por sepse vijmë nga një ferr i vërtetë i izolimit dhe pamundësisë për t’u lidhur me Evropën. Patëm momentet tona të vështira, vuajtëm, por kurrë nuk hoqëm dorë”.

Rama në fund të fjalës së tij ka thënë se meqë është nikoqir nuk do të kritikojë.

“Jemi mikpritës dhe në kodin tonë, shtëpisë i përket Zotit dhe mikut”.

LEXO EDHE:

Back to top button