Rama: Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën

Rama: Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dorëzuar presidentit francez Makron e kancelarit gjerman Sholc, një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se drafti është punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

“Ju siguroj që është një dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogu dhe jo që të flasin me vete dhe për vete. Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në vitin 1999. Dua sukses për Kurtin dhe Kosovën”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama tha se është i shqetësuar për tkurrjen e Kosovës në sytë e aleatëve.

“Kosova rrezikon të sanksionohet për shkak të refuzimit të saj. Krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht dyert e të gjitha formulave ndërkombëtare për Kosovën dhe e njohjes së ndërsjellë të saj nga Serbia”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se në katër ditët e ardhshme do të bisedojë me serbët e Kosovës. Duke folur për tensionet në veri, Vuçiq falënderoi serbët të cilët sipas tij, po luftojnë për të drejtat e tyre.

“Dua t’i falënderoj ata që po luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Është e rëndësishme që të mbahet paqja dhe të bisedohet me të gjithë”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe ai evropian, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar vizitat në Kosovë dhe Serbi. SHBA e BE kanë kërkuar që Kosova të shtensionojë menjëherë situatën në veri, duke ia paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mohuar të jenë vendosur sanksione nga SHBA-të dhe BE-ja. Kurti tha se është pro zgjedhjeve në veri, por me kushtin e sundimit të ligjit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button