Rama: Sondazhet, pavarësisht se na nxjerrin fitues, janë vetëm parashikime

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama doli në një deklaratë për mediat, ku theksoi se “hamendjet, sondazhet dhe exit-poll-et, pavarësisht se ne na japin forcë qeverisëse përsëri, i përkasin vetëm parashikimeve para ndeshjes”.

“Dua t’ju them të gjithëve, në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti. Populli ka folur dhe tani duhet ta dëgjojmë atë. Detyra e çdo numëruesi dhe vëzhguesi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të numërojë votat në mënyrë korrekte. Hamendjet, sondazhet dhe exit-poll-et, pavarësisht se ne na japin forcë qeverisëse përsëri, i përkasin vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani, rezultati i kutive është rezultati i ndeshjes. U lutem shumë të gjithëve që të përqendrohen në detyrën e tyre”, u shpreh Rama.

Më tej, ai pati dhe një falenderim për rrjetin e patronazhistëve:

“Falenderoj nga zemra patronazhistët dhe patronazhistet tona në të gjithë territorin që kanë bërë një punë mbresëlënëse. Ata e dinë më mirë se të gjithë se kush ka votuar dhe kush nuk ka votuar. Ata janë të bindur për punën e tyre. Tani është momenti që ata të pushojnë, të ndjekin nga shtëpia vijimin e procesit dhe nesër Shqipëria do të buzëqeshë”.

NË fund, Rama nënvizoi: “Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse përsëri, por duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur dhe e qetë, duhet të jetë edhe vazhdimi i procesit dhe nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria dhe jo vetëm partia që do të qeverisë vendin”.

 

LEXO EDHE:

Back to top button