Ramazani / Një pjesë e administratorëve i japin pushim vetës

Ramazani / Një pjesë e administratorëve i japin pushim vetës

Gazetar: Adnan Qaili

Gjatë muajit të Ramazanit besimtarët mysliman agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndim të tij. Por, ata që punojnë në administratën shtetërore, nganjëherë nuk është se rrinë deri në fund të orarit të punës. Kjo pasi me matjen dimërore të kohës, iftari vjen fare pranë përfundimit të orarit të tyre. Paraqitja e detyrueshme në punë po anashkalohet. Ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Naim Bajrami, iu bëri thirrje punonjësve që të respektohen oraret e punës dhe mos të bjerë produktiviteti në ofrimin e shërbimeve publike të qytetarëve.

“Ata që kanë vendosur të agjërojnë në emër të Zotit e dinë edhe vlerën e punës, duke respektuar maksimalisht ligjet dhe rregulloret e punës. Në këtë muaj duhet të ketë solidaritet mes kolegëve dhe mirëkuptimi i qytetarëve, besoj se me këtë kolegjialitet gjithçka do të shkoj si duhet”, tha Naim Bajrami, Ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

Nga Bashkësia Fetare Islame thonë se është mëkat që agjëruesit të bëhen pasivë gjatë Ramazanit. Myftiu i Shkupit Qenan Ismaili thotë se besimtarët duhet të bëjnë planifikim të mirë të kohës, me qëllim që të mos anashkalojnë punët e përditshme.

“Besimtari i mirë bën një planifikim të mirë të kohës, të faljes së namazit të teravisë, planifikimi e syfyrit, faljen e namazeve të tjera, duke mos anashkaluar asnjëherë edhe punën e përditshme. Përndryshe, ne nuk do të ishim një shembull pozitiv dhe i mirë në shoqëri, që agjërimi ndikon pozitivisht. Ndoshta do të përfliteshim se agjërimi i pasivizon, i bën që të jenë më dembelë e përtacë, por për besimtarët është e kundërta brenda Ramazanit, besimtari është aktiv, shembull në kryerjen e obligimeve fetare dhe punëve”, u shpreh Qenan Ismaili, Myfti i Shkupit.

Në muajin e Ramazanit edhe disa nxënës kanë filluar të mos shkojnë rregullisht në shkollë, thonë mësimdhënësit. Përkatësisht në orët e para të mësimit, thonë se janë vërejtur mungesa të më shumë nxënësve të ndërrimit të paradites, ndërsa ata të ndërrimit të pasdites lënë orën e fundit për të arritur para vaktit të iftarit nëpër shtëpitë e tyre. Madje, nëpër grupet e mbyllura të rrjeteve sociale thirrjet e mësimdhënësve ju adresohen prindërve që ti sjellin fëmijët në oraret e caktuara të procesit edukativo-arsimor. Arsimtarët thotë se nuk duhet assesi të ndikojnë rrethanat tjera në ngecjen e fëmijëve për të marrë dituritë e nevojshme në kohën e duhur./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button