Rasti “Onkologjia”, merren në pyetje dëshmitarët

Rasti “Onkologjia”, merren në pyetje dëshmitarët

Gazetar: Mihajllo Donev

Gjykimi për rastin “Onkologjia 2” vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, rasti në të cilin ish-drejtori i klinikës Nino Vasev dhe ish-drejtori ekonomik Nehat Nuhi akuzohen për krim financiar dhe përvetësim në shërbim. Lidhur me akuzat për keqpërdorim të vulës së Klinikës Onkologjike, dëshmitarja e parë, një punonjëse e onkologjisë në sportel, tha se vula e Vasevit ishte përdorur në çdo terapi të lëshuar për një pacient onkologjik, por i tha gjykatës se ajo nuk ka vënë re nëse mjeku e rriste ose zvogëlonte terapinë për një pacient të veçantë me një stilolaps.

“Në çdo raport për barnat e dhëna tek pacienti kishim nënshkrimin e Dr. Nino Vasevit, si dhe për ato barna që janë me buxhet të kushtëzuar. Nuk kam vënë re nëse në ndonjë pacient Vasevi ka rritur apo ulur dozën, thjesht kam vënë vulën dhe e kam përcjellë pacientin më tej”, tha Aleksandra Ristovska, punëtore sporteli në Klinikën e Onkologjisë.

Sipas mbrojtjes së Vasevit, kjo është dëshmi se vulat janë përdorur për secilin pacient dhe se kjo nuk është një krim.

“Në vetë aktakuzën qëndron se i pandehuri Nikolla Vasev ka shërbyer me faksimile të një mjeku tjetër – Meri Pesheva. Tani është vërtetuar se nuk është kështu dhe se praktika e klinikës sot është mbajtja e të gjitha faksimileve dhe vulave në një vend me qëllim uljen e pritjes, dhe nëpunësja vendos vula pavarësisht se cili nga mjekët e jep raportin në atë departament ku ajo punon. Pra, nuk mund të kishte asgjë të ndaluar, të paautorizuar dhe të paktën një vepër penale siç është bërë në aktakuzë”, deklaroi Bobi Spirkovski, avokat i të pandehurit të parë Nino Vasev.

Mbrojtësi Spirkovski gjithashtu deklaroi se për shkak të vëllimit të rastit, por edhe për shkak se Vasev u akuzua në rastin “Onkologjia 1”, për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve, pas seancës së sotme ai paraqiti një kërkesë në Gjykatë për dërgimin e tij në arrest shtëpiak, në mënyrë që ekipi ligjor së bashku me të, të mund të përgatisnin mbrojtjen. Përveç Ristovskës, në seancën e sotme dëshmoi edhe një anëtar i Bordit Drejtues të Klinikës i cili tha se barnat onkologjike janë prokuruar me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo u pasua nga dëshmia e një punonjësi të farmacisë në Klinikën e Onkologjisë, e cila shpjegoi se si sigurohen ilaçet. Në rastin “Onkologjia 2” Vasev dhe Nuhi akuzohen për abuzim me tenderët për prokurimin e barnave, duke dëmtuar kështu buxhetin në vlerë prej rreth 36 milionë euro. Seanca e radhës për këtë subjekt është caktuar për datën 21 tetor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button