Reagime në Shkup për takimin e thirrur nga Edi Rama në Tiranë

Reagime në Shkup për takimin e thirrur nga Edi Rama në Tiranë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Tema dhe arsyeja e takimit të thirrur për ditën e nesërme në Tiranë, nga kryeministri Shqiptar Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare, mbetet një mister. Nga kabineti i Ramës nuk sqarojnë agjendën, nuk tregojnë mbi arsyen se pse ai është thirrur dhe pse pikërisht në këtë moment.

VMRO-DPMNE-ja nuk i fsheh dyshimet për takimin e liderëve me Ramën në Tiranë. Nga partia e Mickoskit e vendosin theksin te Ahmeti si shfrytëzues i kësaj mundësie, duke thënë që do të mësojë Ramën për agjendën e gjelbër ose do të kemi një platformë të dytë tiranase.

“Është interesante se si vetëm LSDM-ja nuk ka asgjë kundër këtij takimi ku për çështjet maqedonase koordinohen në Tiranë. Aliu, siç duket, do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose Tiranë do të përgatisë një platformë të dytë tiranase të cilën më pas Aliu do ja japë Kovaçevskit? Marrëveshja e vetme që mund të dalë është bashkimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të mund të vendosë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
LSDM-ja nuk e sheh takimin si problematik por në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian.

“Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas, Shqipëria është vendi ynë mik me të cilin ecim së bashku në rrugën evropiane dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi bashkë në aleancën e NATO-s, nuk kemi çështje të hapura dhe bashkëpunimi ekonomik është në nivelin më të lartë përmes nismës Ballkani i Hapur. Çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të dy vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, thonë nga LSDM.

E ndërkohë, kjo nismë e Ramës është komentuar më gjerë në Shkup. Deputeti Skender Rexhepi kujton takimin e gjashtë viteve më parë të cilin thotë se Rama e kishte bërë në cilësinë e “zëdhënësit të BDI-së”, për interesa partiake të partisë së Ahmetit.

“Edhe produkti i atij takimi “platforma shqiptare” ishte dhe mbetet vetëm farsë, pasi që në asnjë cikël të ardhshëm zgjedhor, e njëjta nuk ishte në tavolinë të përbashkët të partive politike shqiptare, e që nuk është as sot para procesit të ndryshimeve kushtetuese. Andaj, është shumë e qartë që Edi Rama nuk ka legjitimitet të mbledh partitë shqiptare për çështjet që i tangojnë shqiptarët këtu në Maqedoni, kjo pasi që, edhe prapa takimit të nesërm, do të rezultojë ndonjë truk i radhës që “do t’ia dëgjojmë zërin nesër””, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.

Një takim me një format të këtillë u mbajtë për herë të parë në dhjetor të vitit 2016 kurse muaj më vonë u firmos një Deklaratë e përbashkët e partive shqiptare e cila edhe sot nuk është realizuar në tërësi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button