Adrian Kerimi
Aleanca për shqiptarët hodhi ngjyrë të kuqe para godinës së Ministrisë së Drejtësisë, në shenjë revolte për tentimin e faljes së të dënuarve në mesin e të cilëve edhe Boban Iliç. Opozita shqiptare kërkon dorëheqjet e krerëve të Drejtësisë, Mariçiq dhe Nuhiu. Sipas ASH-së Qeveria është e gatshme të shkelë mbi gjakun e viktimave si Almir Aliut me qëllim ruajtjen e pushtetit.
“Këto janë njerëzit të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun e Almirit, të gatshëm të shkelin mbi gjakun tonë, mbi gjakun e qytetarëve. Me të vetmin qëllim, për t’i mbrojtur pozitat e tyre ministrore. Bëhet fjalë për ministrin, zëvendësministrin dhe gjithë kabinetin qeveritar”- deklaroi Omer Ajdini, Aleanca për Shqiptarët.
Lëvizja Besa kërkon nga Presidenti Stevo Pendarovski të mos e nënshkruaj faljen e Boban Iliqit dhe të dënuarve të tjerë.
“I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve kompetente, në rastin konkret Presidentit të shtetit, Stevo Pendarovskit që të marrë seriozisht rastet e ndjeshme dhe të reflektojë dhe të mos e nënshkruaj faljen e tyre”- thanë nga Lëvizja Besa.
Alternativa alarmon kryeministrin Zoran Zaev se me këtë kërkesë të Drejtësisë, lëkundur marrëveshja për bashkë-qeverisje.
“Duke shpresuar se as kryeministri aktual dhe as kryeministri i ardhshëm nuk duan ta luhatin bashkëpunimin e Alternativën, presim nga ata që ta tërheqin kërkesën nga Presidenti dhe nga ana tjetër menjëherë të fillon zbatimi i marrëveshjes së dakorduar Gashi-Zaev”- pohoi Nurxhan Asanovska, Alternativa.
Në reagimin e tyre VMRO DPMNE-ja theksin e vë tek i dënuari Aleksandar Vasilevski Ninxha. Partia e Mickoskit akuzoi Qeverinë LSDM-BDI për gjendjen në gjyqësor
“Regjimi i LSDM-së dhe BDI-së dënoi me mbi 200 vite burg në bazë të deklaratës së Aleksandar Vasilevskit-Ninxha, ndërsa ai do të shëtisë i lirë nëpër rrugë. Mbi 200 vjet burg, Ninxha i falur nga Pendarovski me propozim të Mariçiqit dhe Zaevit. Kjo është fotografia për padrejtësinë dhe jo të drejtën në Maqedoni me LSDM-në dhe BDI-në”- tha Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
Reagimeve politike nuk iu bashkëngjit LSDM-ja e Dimitar Kovaçevskit.








