Realizohet sot takimi i parë Mucunski – Gerapetritis
Realizohet sot takimi i parë Mucunski – Gerapetritis
Ministri i Jashtëm maqedonas Timço Mutsunski sot në Nju Jork do të ketë takimin e parë me kolegun e tij nga Greqia, Giorgos Gerapetritis, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Në takim do të diskutohet për temat më aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve”, njoftoi shkurt Ministria e Jashtme. Informacioni për takimin u përhap edhe në Athinë. MPJ greke njoftoi se Gerapetritis do të marrë pjesë sot në takimin ministror të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, në prani të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më pas në takimin e ministrave për punët e jashtme të BE-së. Në agjendë janë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, por në njoftimin e tyre nuk ka më shumë detaje për temat e takimit me Mucunskin. “Në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, zoti Gerapetritis do të ketë takime të veçanta dypalëshe me ministrat e jashtëm të Bolivisë, Maqedonisë së Veriut, Bahreinit dhe Arabisë Saudite”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. /Alsat.mk